Transmetuar më 21-01-2023, 10:18

Greqi- Kërkimet për 44-vjeçaren e zhdukur prej ditës së hënë në Rodos, Greqi, janë në vazhdim e sipër, ndërsa familjarët e saj i bëjnë apel të gjithë atyre që dinë diçka, të ndihmojnë.

Makina e saj u gjet e aksidentuar, por 44-vjeçarja nuk ndodhej në të.

Autoritetet po marrin deklarata nga persona të afërt të saj, ndërsa kanë kërkuar të hapen tabulatet telefonike për të konstatuar se kush ka qenë personi i fundit me të cilin ka kontaktuar.

“Po i bëj apel kujtdo që mundet dhe di diçka të ndihmojë të gjejë motrën time të gjallë”, ka thënë vëllai i gruas së zhdukur për Star dhe njëkohësisht ka shprehur frikën e tij se një person tjetër mund të jetë i përfshirë në zhdukjen e saj.

“Mendja ime shkon kudo, shkon në shumë skenarë. Kohët e fundit ajo dukej e shqetësuar, por nuk po na thoshte asgjë”, shtoi ai.

Ditën që gruaja u zhduk, ajo ishte nisur me makinën e saj për të çuar vajzën e saj në shkollë.

Që atëherë, nuk ka dhënë asnjë shenjë jete. Bashkëshorti i saj njoftoi policinë për zhdukjen e saj në mbrëmjen e së njëjtës ditë. Disa orë më vonë makina e saj u gjet në një vend të shkretë, në një kanal.

Nga kontrolli që i është bërë makinës, është konstatuar se gruaja nuk ndodhej në të dhe me shumë gjasa dikush e ka shtyrë mjetin në përrua.