Transmetuar më 20-01-2023, 19:27

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka sfiduar kryeministrin Edi Rama. Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha tha se nëse ai do të ketë guxim, duhet të dalë në përballje me të. Ai tha gjithashtu se edhe kryebashkiaku Erion Veliaj duhet të dalë në një përballje me kandidatin e PD-së, Belind Këlliçi.

"Ne kemi vulën, flamurin, siglën dhe flamurin në përputhje me ligjin. Ne do marrim pjesë në zgjedhje. Ne kemi bërë përgatitjet më serioze në historinë tonë elektorale. Dhe vazhdojmë me intensitet. Imagjino tani: Kandidatët e shpellës me kandidatët tanë në primare, çfarë epërsie morale kanë këta krahasuar me kandidatët e Rozetave të Edi Ramës. Kjo e ka tmerruar Edi Ramën. Imagjinoni ju Sakon e Durrësit me Igli Carën? Sako, e cila është thjesht një zyrtare në duart e mafies. Se aty po kërcet dajaku. Por unë jam që të shkojnë para ligjit ata. Kurse Igli Cara përfaqëson qytetarin e Durrësit, banorët e Durrësit me të gjithë problematikat që kanë. Le të vijë Erion Veliaj në një debat me Belind Këlliçin. Nuk vjen kurrë. Ka tmerr nga fytyra e vet. Sepse ai në çdo fjalë që do nxjerrë në atë debat, do kujtojë minierën e tij të floririt që po vjedh shqiptarët. Do kujtojë tenderat-kallp, mashtrimet, vjedhjet e tmerrshme. Prandaj në këto zgjedhje janë të tmerruar. Pastaj në ia mbajtë, të vijë Edi Rama me mua në debat. Të dalë pak. T’i tregoj se sa i vlen lëkura atij. E ftoj, pavarësisht se nuk dua të ulem kurrë me të, por detyrimi ndaj qytetarëve më imponon,"- tha Berisha ndër të tjera.