
TIRANË- Një 18-vjeçar është arrestuar në aksin rrugor Tiranë-Elbasan pasi po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara. 18-vjeçari me iniciale A.H është arrestuar pasi shpejtësia me të cilën po qarkullonte ishte 216 km/h. Sipas Policisë, i riu ka qenë duke drejtuar automjetin tip ‘Audi’ pa leje drejtimi.
NJOFTIMI I PLOTË:
Policia Rrugore e Tiranës
Drejtonte pa leje drejtimi automjetin, me shpejtësi 216 km/h, vihet në pranga 18-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nisur nga analiza e kryer për rrugët më me risk, si dhe për drejtuesit e mjeteve që shfrytëzojnë disa akse rrugore për të qarkulluar me shpejtësi të lartë apo për të bërë gara shpejtësie, kanë vijuar monitorimin e qarkullimit rrugor me anë të radarëve automatikë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara, në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar dhe arrestuar në flagrancë shtetasin A. H., 18 vjeç, pasi drejtonte pa leje drejtimi automjetin, me shpejtësi 216 km/h. Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.