Transmetuar më 19-01-2023, 09:59

New York- Gjigantja "New York Weekly" ka marrë një rrëfim ekskluziv nga Elton Ilirjani, i cili është hasur shpesh muajt e fundit në median e shkruar ndërkombëtare si fytyra e re më e përfolur në industrinë e modës.

Përpos veshjeve kontroverse dhe vendimeve të tij të paparashikueshme kur vjen puna tek karriera, Ilirjani është shprehur se është gati të nisë një lëvizje, e cila promovon jo vetëm barazinë gjinore por mbi të gjitha modelet pa gjini.

“Besoj se modelet pa gjini qëndrojnë jashtë standardeve të bukurisë tipike dhe po e ndihmojnë botën e modës e cila aktualisht është e kontrolluar, subjektive dhe ndonjëherë shumë abuzive, të jetë më shumë përfshirëse kundrejt grave dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBTQIA+”.

Ndërkohë, Ilirjani ka lajmëruar dy dalje ekskluzive në shkurt të këtij viti në New York Fashion Week, ai shton “Kjo është e ardhmja e modelingut. Bota e modës së shpejti do të ndryshojë drastikisht. Modelet pa gjini përfaqësojnë të gjithë. Janë sinonim me artin dhe krijimin dhe janë të përqafuar nga publiku”. /TCh