Transmetuar më 19-01-2023, 09:40

Cirku Kombëtar bën të ditur se është ndarë nga jeta Sanie Baçova, artistja që zbuste kafshët e cirkut shqiptar është ndarë nga jeta.

Cirkut Kombëtar në një postim në rrjetet sociale thotë se Baçova ishte gruaja e parë që kishte profilin e mësuesve me “nxënës-qen”.

“Ishte viti 1964 në korridoret e Cirkut të Tiranës, mes akrobatëve, zhonglerëve, ekuilibristëve, klounëve, u duk edhe një vajzë e re, e veshur rroba akrobatësh.

Në dorë mbante një shkop të hollë, të vogël, duke zhvilluar një orë mësimi në një klasë, me banka, dërrasë të zezë, “nxënësit’ e saj ishin; Rrapi, Xhina, Diana dhe Luçi.

Mësuesja e tyre, Sanija, i drejtonte të sistemoheshin nëpër banka të rrinin urtë e të silleshin mirë, të kishin mendjen në mësim. Ishte ora e matematikës.

Mësuese Sanija shkruante numra në dërrasën e zezë dhe “nxënësit-qen” me lehjet e tyre plot zë të lartë, jepnin zgjidhjen e veprimit matematikor.

Kur u shfaq ky numër para spektatorëve, në premierën “Fluturime akrobatike”, jo vetëm u prit me kureshtje, por edhe u duartrokit shoqëruar edhe me të qeshura.

Spektatorët kishin parë në cirk, një zbutëse kafshësh femër. Kjo ishte ngjarja që do të mbetet në kujtesën e historisë, si zbutësja e parë e kafshëve dhe e vetme në Artin e Cirkut Shqiptar”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Cirku Kombëtar.

Nëntori i vitit 1959 me realizimin e një shfaqje të plotë cirku, që u titullua ‘‘Shkopi Magjik’’, do të shënonte momentin e lindjes së Cirkut Shqiptar që këtë vit shënon 64 vjetorin e tij.

Në përvjetorin e tij të 60-të, Ministria e Kulturës organizoi një ceremoni duke nderuar me dekoratën e mirënjohjes figura më të njohura të cirkut shqiptar, për pasionin dhe përkushtimin e dëshmuar për të mbajtur gjallë këtë art të veçantë, mes të cilëve edhe Sanie Baçova.