Transmetuar më 19-01-2023, 09:32

Në maj, me rastin e pushtimit të “Scudetto”-s nga Milani, vëmendja u zhvendos shpejt te festimet e kuqezinjve, veçanërisht ato që synonin, në të vërtetë, ish-in Hakan Calhanoglu.

Konkretisht, kori që nisi Zlatan Ibrahimovic ishte i fortë dhe me ndikim, në prani të tifozëve të Milanit dhe i “dedikohej” lojtarit që kishte kaluar te “kushërinjtë” zikaltër.

Mbrëmë ishte rasti i hakmarrjes së turkut, teksa fitoi Superkupën e Italisë. Dhe nuk e përmbajti veten në mënyrën e gëzimit. Pas Alessandro Bastonit, ka qenë Calhanoglu ai që ka dalë përpara mikrofonëve të “Sport Mediaset”.

Këto kanë qenë fjalët e tij, që nuk duken aspak banale: “Një fitore tepër e rëndësishme, por për mua akoma edhe më shumë. Jam shumë i lumtur, faleminderit të gjithë tifozëve që kanë ardhur deri këtu në Riad, por edhe shokëve për këtë ndeshje.

Dëshirë për të fituar pas festës së shëmtuar të Milanit në ceremoninë (parakalimin) e titullit? Patjetër që po. Unë preferoj të qëndroj i heshtur. Ka qenë e shëmtuar t’i shihja ashtu ato skena, e rëndë, por karma godet herët a vonë dhe ja ku jemi sot.

Ne kishim uri sonte, por në radhë të parë duhet të na respektojnë. Ka përfunduar 3-0 dhe i kemi dërguar kuqezinjtë në shtëpi më herët se t’i binte bilbilit për herë të fundit arbitri. I kemi dominuar totalisht.

Tani të mendojmë për të hënën, sepse për titullin do të mendojmë deri në fund. Me Napolin e kemi nisur shumë mirë, por pastaj ka ardhur barazimi me Monzën, që askush nuk e priste dhe donte. Unë besoj ende te titulli”.