Transmetuar më 19-01-2023, 08:50

Gruaja e Louis van Gaal e ndjeu se ai do të shkarkohej nga Manchester United, kur Sir Alex Ferguson dhe Sir Bobby Charlton ndaluan së përshëndetur atë në sallën e këshillit të “Old Trafford”.

Klubi anglez vendosi ta shkarkojë trajnerin e njohur holandez në maj 2016 pasi nuk arriti të kualifikohej në Ligën e Kampionëve në një sezon “të përgjumur”, ku të tijtë shënuan 49 gola në Premier League dhe humbën 10 ndeshje, duke përfunduar në vendin e pestë. Manchester United u eliminua edhe nga Champions League në fazën e grupeve.

Van Gaal i udhëhoqi “Djajtë e Kuq” në finalen e tyre të parë të “FA Cup” në 9 vite, duke fituar 2-1 kundër Crystal Palace, megjithëse tashmë ishte raportuar gjerësisht se holandezi do të shkarkohej. Van Gaal do të shkarkohej zyrtarisht dy ditë më vonë dhe do të zëvendësohej nga Jose Mourinho.

Gruaja e Van Gaal, Truus, tregon zhgënjimin që kaluan ato ditë: "E dija që Louis do të shkarkohej nga Manchester United. E ndjeva këtë. Ne kishim një sallë të vogël konferencash atje dhe ishte gjithmonë argëtuese me legjendat e vjetra të Manchesterit, Ferguson, Bobby Charlton. Kishim një tryezë atje me ushqime dhe pije të mira.

Papritmas, ata pushuan së përshëndeturi, vetëm na e bënin me dorë nga larg. Diçka nuk shkonte, ishte intuitë femërore. Unë i thashë: Louis, do të pushohesh nga puna. Bëhu i mençur. Dhe mbylla derën e banesës.

Pas finales së ‘FA Cup’, Louis më tha: Epo, e fituam! Unë i thashë: Luis, ata thonë se jeni pushuar nga puna. Ai u zemërua kaq shumë. Pyeste pse duhej t’ia prishnin festën, kërkoi të ndaleshin gjithë këto marrëzi agresive”.

Truus thotë se vendimi e goditi rëndë Louis, teksa e gjetur atë duke qarë pasi mori lajmin: “Kur u ktheva në shtëpi, pashë se ai po qante. E përqafova. Edhe unë kisha lot në sy”.