Transmetuar më 18-01-2023, 11:31

Testamenti i Pele ka zbuluar se legjenda e futbollit brazilian i ka lënë një pjesë të pasurisë së tij një gruaje që sa ishte gjallë e kishte mohuar se ishte vajza e tij. Sandra Regina, e cila ka lindur në vitin 1964 dhe pretendonte se Pele ishte babai i saj, u emërua në testamentin e tij të pasurisë.

Ndërsa legjenda braziliane e futbollit kurrë nuk e kishte pranuar se ajo ishte e tija, zonja Regina u emërua së bashku me gjashtë fëmijët e tjerë të tij në testamentin e pasurisë, sipas një raporti nga “Daily Mirror”.

Publikimi zbuloi se pjesa e saj e trashëgimisë pasusore të Pele do t’iu shkojë djemve të saj, pasi ata përmbushën një kërkesë nga gjyshi i tyre, që po vdiste. Thuhet se Pele kishte dashur të takonte Octavio Felinto Neto dhe Gabriel Arantes do Nascimento, ndërsa ishte duke dhënë shpirt në spital, pas betejës së humbur me kancerin e zorrës së trashë.

Ata e takuan gjyshin gjatë një vizite në spital, më 28 dhjetor të vitit të kaluar. Pele vdiq vetëm një ditë më vonë, pasi u takua me dy nipërit, më 29 dhjetor. Vlerësimet sugjerojnë se Pele la një pasuri prej 13 milionë paundësh, por nuk ka asnjë tregues se sa i la zonjës Regina, e cila është ndarë nga jeta prej 17 vitesh.

Duke folur për “Mirror”, Arantes tha se ai dhe vëllai e vizituan gjyshin pasi folën me tezet e tyre: "Ne ishim shumë të emocionuar, ishte një mundësi që e prisnim. Çdo familje ka zënka dhe grindje, e jona nuk është ndryshe, por ka momente kur bashkimi dhe dashuria janë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur".

Pele kurrë nuk e pranoi publikisht se zonja Regina ishte vajza e tij, e cila dyshohet se ishte produkt i një lidhjeje me pastruesen e tij Anisio Machado. Testi i ADN-së, i kryer në vitin 1991, pesë vite para se të vdiste Regina, përfundimisht konfirmoi se “O Rey” ishte babai i saj.

Vajza e tij Flavia gjithashtu thuhet se lindi pas një lidhjeje të pazyrtarizuar, ndërsa pesë të tjerat erdhën nga tri martesat e tij të njohura.