Transmetuar më 17-01-2023, 12:06

TIRANË- Zbardhet profili i Facebook-ut të Martin Çeços, 26-vjeçarit që u gjet i vrarë në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit mbrëmjen e 12 Qershorit 2022, janë hapur dhe janë zbuluar bisedat që ai ka bërë me persona të ndryshëm.

Familja e Martinit, babait, vëllait dhe dy motrave të tij, ka mundur të rikuperojë numrin e telefonit që ka përdorur Martin Çeço.

Ishte një proces i gjatë për shkak se fillimisht nuk dihej se në pronësi të kujt ishte numri edhe për shkak se babai nuk e mbante mend.

Më pas një proces i rikonfigurimit të sistemit të operimit të kompanisë telefonike vështirësoi akoma më shumë punën.

Por në fund kompania telefonike pranoi kërkesën e familjarëve të Martinit për rikthimin aktiv të numrit të Martin Çeços.

Në sajë të rikthimit aktiv të këtij numri, është arritur të hapen adresat e Facebook-ut që ka përdorur Martin Çeço, e veçanërisht dy prej adresave ku ai kishte qenë aktiv ditët dhe orët e fundit të jetës së tij.

Bazuar në shqyrtimin e bisedave të Martin Çeços në Facebook, që në mëngjes e deri në orët e mbrëmjes të datës 12 Qershor 2022, Martin Çeço ka qenë i shqetësuar dhe në gjendje të rënduar emocionale.

Atij i ishte premtuar nga dikush se T.P. ishte bërë tashmë gruaja e tij dhe se kishte pranuar të lidhej e martohej me të.

Gjatë asaj dite, Martin Çeço kishte zhvilluar biseda dhe komunikime me persona të ndryshëm gjatë asaj dite.