Transmetuar më 16-01-2023, 14:14

Vllaznia ka bërë goditjen e madhe në merkaton e dimrit. Sot është prezantuar prurja më e bujshme, Bekim Balaj, sulmues i kombëtares kuqezi, i dalë nga fidanishtja e pashtershme e futbollit shkodran.

Në prani të presidentit Alban Xhaferi, sulmuesi ka nënvizuar para gazetarëve objektivin e panegociueshëm me ngjyrat kuqeblu: “Emocionet mund t’i quaj të ngjashme me ato kur kam veshur për herë të parë fanellën kuqeblu. Disa nuk ishin të bindur që kisha firmosur madje. Vllazninë e ndjek gjithmonë.

Këtu ka një projekt serioz që më bën pjesë dhe mua. Shkodra është gati për t’u shpallur kampione. Ambiciet e mia? Sulmuesi për gola merret, shpresoj që ta ndihmoj sa më shumë Vllazninë, por si fillim duam titullin.

Unë vetëm dje jam stërvitur me ekipin, por do të jem gjithmonë gati. Dëshira është e madhe, si e çdo shkodrani, për të fituar titullin kampion. Fitimi i Kupës ndoshta nuk të jep aq emocione.

Mbyllja e karrierës te Vllaznia? Është herët për ta thënë. Nuk kam ardhur në Shkodër për ta mbyllur. Ndoshta do ta mbyll te Vllaznia pas disa vitesh, por është herët. Shkodra më ka dhënë shumë gjëra.

Mund të më japë sërish një vend në kombëtare. Dihet që tifozëria shkodrane i jep mbështetje Vllaznisë gjithmonë. Shpresoj që të arrijmë sa më shumë fitore, që ta mbushim plot stadiumin”.

Nesër, Vllaznia do të ndeshet për Kupën e Shqipërisë me Bylisin. Sipas trajneri Josa, nuk duhet pritur debutimi i Balajt kaq shpejt: “Për ne lajmi i mirë është firmosja me Balaj. Ai u bë pjesë e jona. Nuk kam nevojë që të flas unë për Bekimin.

Duhet të përqendrohemi komplet te ndeshja e Ballshit, e cila është shumë e rëndësishme për ne, sepse luajmë në dy kompeticione. Skuadra është e plotë, do mundohemi që të hedhim në fushë lojtarët më të freskët. Balaj është në proces stërvitor.

Një lojtar që stërvitet individualisht nuk mund ta marrësh me vete për ndeshje zyrtare, sepse ka nevojë për seanca të tjera. Nuk ka asnjë problem me Bekimin, pse nuk do të luajë në Ballsh. Me siguri do të luajë ndeshjen tjetër, që e kemi përsëri në Ballsh”.