Transmetuar më 15-01-2023, 12:51

TIRANË- Banorët e fshatit Bërxullë, pronat e së cilëve preken nga autostrada Thumanë-Kashar, kanë dalë sot sërish në protestë, duke akuzuar edhe njëherë qeverinë për projektin ku firma e ndërtimit po kryen punime pa leje. Po rndyrshe nga herët e tjera, sot ata e kanë çuar protestën e tyre përtej fshatit duke bërë thirrje për drejtësi nga dyert e institucioneve. Protesta është përshkallëzuar teksa disa prej tyre kanë kërcënuar se do të hidhen nga shtyllat e tensionit dhe do të vetëflijohen nëse nuk marrin një përgjigje nga institucionet.

“Ju lutem hajdeni të negociojmë, heshtja dhe neglizhenca e këtij shteti”, tha njëri prej banorëve.

“Ky njeri është i shëndetshëm mendërisht, pse duhet ta bëjë këtë?”, tha një tjetër.

Situata paraqitet e tensionuar pasi policia ka ndërhyrë, ndërsa banorët e tjerë bëjnë thirrje që zonja e cila ka hipur në shtyllën e tensionit të zbresë pasi rrezikon të bierë nga momenti në moment.

Edhe pse kanë më shumë se 90 ditë që protestojnë, asnjë deputet i majtë apo i djathtë nuk është afruar për të mbështetur banorët e Bërxullit ndaj ata deklarojnë se do të bojkotojnë zgjedhjet vendore. Banorët e Bërxullit tanimë e kanë vendosur se nuk do të marrin pjesë në zgjdhjet e 14 majit ndërsa shprehen të vendosur se tokat e tyre nuk do t’i lëshojnë pa u kompensuar me çmimin e tregut.