Transmetuar më 14-01-2023, 15:28

TIRANË- Një grua e cila ka punuar në një punishte kanabisi gjatë vitit 2016, ka rrëfyer ekperiencën personale të 7 viteve më parë. Në një rrëfim për Euronews, gruaja pa treguar fytyrën dhe emrin, tha se ishte një punë shumë e vështirë për gratë, pasi duhet të flinin në sera dhe të qëndronin pa komunikuar me familjen.

E pyetur për mënyrën se si pronarët e serave viheshin në dijeni për kontrollet e policisë, ajo tha se poseduesit e lëndës narkotike flisnin me kode, por që kishin informata. Dhe në momentin që njoftoheshin se do të kishte kontrolle, ato e fshehnin lëndën narkotike në pyll, ku qëndronin dhe vetë për tu shpëtuar uniformave blu.

“Ata flisnin me kode, s’është s’e merrnim vesh shumë. Ne e kuptonim, na thoshin kur do vinte policia dhe e hiqnim mallin e çonim në pyll. Atje ku kam parë unë, kanabisi mbillej shumë larg në pyll. Zona të thella, ku vinin deri në një farë pike me makina dhe pastaj me këmbë. Zona ku nuk shkonte dot makina. Kur na lajmëronin ne, ne fshiheshim në pyll ose kush kishte mundësi kthehej në shtëpi. Punën shumë e vështirë për gratë, të iki gruaja nga fëmijët dhe të flerë në serë dhe të mos ketë komunikim me familjet është shumë e vështirë. Ne nuk e kishim këtë problem pasi në darkë flinim në shtëpi, për gratë nga rrethet ishte e vështirë. Por për të fjetur njerëzit filluan të hapnin shpitë dhe të mbanin gratë që vinin nga larg,”- tha gruaja.