Transmetuar më 14-01-2023, 14:01

Prej disa ditësh po flitet për një aplikacion të ri të krijuar nga Partia Socialistë, që thuhet se do të shërbejë për të kontrolluar punonjësit e administratës dhe ndihmën që ata japin për zgjedhjet e ardhshme.

Aplikacioni quhet “Aktiv1st” dhe mund të shkarkohet nga të gjithë ata që kanë një celular të zgjuar.

Qeveria e konsideron këtë platformë si një inovacion për të gjithë ata që duan që zëri i tyre të dëgjohet në shoqëri.

Ndërsa disa thonë se “Aktiv1sti” është një aplikacion që do të kontrollojë veprimtari të punonjësve të administratës.

Në këtë aplikacion, përdoruesit do të marrin njoftime për mitingje, mbledhje apo postime që bëjnë krerët e partisë dhe më pas ata duhet të vihen në lëvizje për të komentuar, pëlqyer apo shpërndarë postimet në fjalë ose për të shkuar dhe për t’u paraqitur nëpër takime elektorale.

Në bazë të aktivitetit që përdoruesit shfaqin në këtë aplikacion, do të ketë edhe një sistem pikëzimi, që do të nxjerrë “patronazhistin” më të devotshëm, teksa mbetet për tu parë se cili do të jetë shpërblimi në fund.