Transmetuar më 14-01-2023, 09:03

Trupa gjykuese nuk mundi të merrte vendime për një akuzë përdhunimi dhe një tjetër për përdhunim në tentative. Për këto dy akuza mund të bëhet rigjykim. Për 6 akuza të tjera po të njëjta, mbrojtësi francez i Manchester City është shpallur sot i pafajshëm.

Ashtu si Benjamin mendy, edhe miku i tij Louis Saha Matturie, 41 vjeç, u shpall i pafajshëm për tri akuza përdhunimi. Mendy, 28 vjeç dhe shoku i tij Matturie, ishin akuzuar për përdhunim të grave në shtëpinë e lojtarit në Prestbury, Cheshire dhe në një apartament në Manchester.

Mendy e mbuloi fytyrën me të dyja duart, ndërsa përgjegjësi i jurisë përsëriti "i pafajshëm" për gjashtë akuza. Gjatë një gjyqi gjashtë mujor në “Chester Crown Court”, prokurorët i thanë jurisë se Mendy ishte një "grabitqar" që e ktheu ndjekjen e grave për seks në lojë.

Vendimet unanime u dhanë nga shtatë burra dhe katër gra në juri. Një anëtar jurie (trupës gjykuese) ishte larguar më herët për arsye mjekësore. Vendimet nuk mund të raportoheshin derisa juristët të përfundonin, duke marrë parasysh dy pikat e mbetura, pasi atyre iu dha një drejtim i shumicës nga gjyqtari Steven Everett, që do të thotë se ai do të pranonte një shumicë 10-1 për çdo vendim.

Por pas 14 ditësh diskutimi, juristët nuk mundën të merrnin vendime për tentativën e pretenduar të përdhunimit të një gruaje 29-vjeçare më 2018 dhe përdhunimin e dyshuar të një gruaje tjetër, 24-vjeçare, në tetor 2020.

Gjykatësi Everett shkarkoi jurinë të premten, duke i dhënë fund gjyqit. Të dy burrat ishin në gjyq që nga 10 gushti, të akuzuar nga 13 gra për vepra të shumta seksuale. Mendy u arrestua për herë të parë në nëntor 2020 dhe u pezullua nga klubi i tij në gusht 2021, pasi u akuzua për përdhunim. Prokuroria ka kërkuar rigjykim për dy pikat për të cilat juria nuk arriti të merrte vendim dhe ai është caktuar për 26 qershor.

Një deklaratë nga Manchester City shkruante: “Duke pasur parasysh se ka çështje të hapura në lidhje me këtë rast, klubi nuk është në gjendje të komentojë më tej në këtë moment”. Akuzat dhe gjyqi kishin qenë "ferr absolut" për Mendy, i cili i tha gjykatës se jeta e tij në futboll ka mbaruar, pasi nuk do t’iu shpëtonte më kurrë akuzave të tilla.

Avokati i Mendy tha se ai ishte i kënaqur që ishte liruar nga sulmet seksuale ndaj katër grave dhe mezi priste të pastronte emrin e tij në një rigjykim për dy akuza të tjera, pastaj të rindërtojë jetën e tij.