Transmetuar më 14-01-2023, 08:35

Zhgënjim, por edhe siguri. Stefano Pioli foli në prag të ndeshjes së kampionatit në Lecce dhe analizoi situatën e kuqezinjve: “Me Torinon menduam se ndeshja ishte e lehtë. Dhe kur mendon kështu humbet qartësinë, luan shpenguar dhe gabon”.

Është një moment delikat i Milanit, i cili në vetëm dy ndeshje e ka gjetur veten nga siguria në dyshime. Transferta në Lecce i fton kuqezinjtë për të arritur dy objektiva jetikë: të shmangin rrezikun e humbjes së mëtejshme të terrenit në klasifikim nga Napoli, si dhe të rivendosin ekuilibrin psikofizik (më shumë psiko sesa fizik) në funksion të derbit të Superkupës.

Trajneri Pioli nënvizoi mes të tjerash: "Në dy paraqitjet e fundit nuk kemi arritur rezultate pozitive. Duhet të bëjmë më shumë, por pashë dëshirën për t’u përmirësuar. Me Romën gjithçka ishte nën kontroll, ndaj Torinos bëmë një lojë të ndershme. Nuk është çështje e rotacionit, por duhet të kemi më shumë përqendrim, cilësi dhe vendosmëri.

Grupi është i fortë, por presim të jetë i kompletuar, shpresojmë t’i rikuperojmë të gjithë sa më shpejt të jetë e mundur. Na mungojnë lojtarët si Kjaer, Florenzi dhe Ibra. Jo vetëm nga pikëpamja teknike, por edhe për drejtimin. Origi dhe Kjaer janë rikuperuar për nesër, Rebiç mund të jetë gati për Superkupën.

Pas humbjes ndaj Torinos fola menjëherë me djemtë dhe pastaj i lashë të pushojnë. Kemi bërë 36 goditje, vetëm 8 në portë. Na mungonte qartësia ndaj torinezëve. E donim shumë rezultatin dhe ishim të furishëm. Duhet të konkretizohemi më mirë.

Nuk kam asnjë justifikim për humbjen, duhet të rrisim nivelin tonë të performancës për të fituar një tjetër trofe. Nuk do të bëjmë merkato në janar, sepse kemi një ekip të kompletuar në çdo repart, presim rikthimin e lojtarëve të dëmtuar.

Nuk do të jetë ndeshje vendimtare nesër, kemi ende një rrugë të gjatë për ta përshkuar. Le të kujtojmë vitin e kaluar, ne mund të grumbullojmë më shumë pikë. Mendoj se është normale që ka një sy më kritik ndaj nesh, sepse fituam titullin dhe luajtëm futboll të mirë. Jemi të parët që duam gjithmonë të bëjmë më mirë.

Kritikat vijnë pas dy ndeshjeve të fundit, sepse nuk fituam. Sezoni është i gjatë, nuk do të përfundojë as sonte pas Napoli-Juventus. Superkupa është një objektiv i menjëhershëm dhe i rëndësishëm për ne".