Transmetuar më 13-01-2023, 14:46

Trupi i pajetë i një shqiptareje është gjetur pasditen e së enjtes në bregdetin e Barit.

Mediat italiane raportojnë se trupi i pajetë i përkiste shtetases nga Shqipëria, Rukije Qela 76-vjeç banuese në Cassano delle Murge. Një nga mbesat e saj, mëngjesin e ditës së djeshme kishte raportuar zhdukjen e të moshuarës pranë autoriteteve përkatëse.

Karabinierët dhe personeli i rojës bregdetare ndërhynë në vend për të nxjerrë trupin, ndërkohë shkaqet e vdekjes së 76-vjeçares nuk dihen ende. Sakaq, trupi i pajetë është parë nga një kalimtar i rastit në bregdet pranë Largo Giannella, ku ndodhet aktualisht rrota e Ferrisit, i cili ka lajmëruar menjëherë policinë.