Transmetuar më 13-01-2023, 10:43

Një ish-yll i Manchester United la futbollin, paratë e shumta dhe famën për t’u bërë prift katolik. Shkaku? Ngaqë u mërzit nga paratë e shumta dhe vëmendja e femrave.

Phil Mulryne, 44 vjeç, ishte dikur një nga yjet e rinj, që doli nga akademia e Manchester United, por i ndërroi këpucët e sportit me Biblën kur u zhgënjye me përfitimet që vinin nga loja e futbollit, si paratë dhe femrat.

Ish-mesfushori fitonte 600.000 £ në vit në kulmin e karrierës së tij, por në vend që ta lumturonte kjo shumë e madhe, bëri të kundërtën tek ish-mesfushori i Irlandës së Veriut. Ai përjetoi një gjendje të mjerueshëm dhe zbrazëtie, çka e shtyu drejt shtëpisë së Zotit.

Mulryne e filloi karrierën e tij në “Old Trafford”, ku bëri debutimin e tij në tetor 1997. Sidoqoftë, nuk arriti të depërtonte në ekipin e parë të Manchester United, bëri vetëm një paraqitje në Premier League, përpara se të transferohej te Norwich më 1999.

Mulryne u paraqit më mirë në “Carrow Road”, ku zhvilloi 172 ndeshje dhe shënoi 20 gola ndërmjet viteve 1995 dhe 2005. Maestro i mesfushës gjithashtu pati eksperienca futbollistike me Cardiff, Leyton Orient dhe Kings Lynn përpara se të tërhiqej më 2009, në moshën 31-vjeçare.

Duke folur për kalimin e tij nga futbolli te priftërimi, Mulryne tha më parë për faqen zyrtare të Norwich: "Është e vështirë të përcaktosh një moment të veçantë. Unë do të thoja se filloi në vitin tim të fundit në Norwich, jo në mënyrë eksplicite, sepse nuk po mendoja për këtë në atë kohë.

Fillova të jem i pakënaqur me të gjithë stilin e jetës. Ne kemi një jetë të mrekullueshme si futbollistë, isha shumë i privilegjuar, por me të gjitha gjërat përreth kuptova që përfundimisht kisha një lloj zbrazëtie në shpirt e zemër. Isha shumë i tronditur, pyesja veten: pse nuk jam i lumtur, kur kam gjithçka që duan të rinjtë?

Aty nisi udhëtimi drejt eksplorimit të besimit tim, besimit që kisha si i ri. Mora një vendim që të kthehesha në shtëpi për një vit dhe në të vërtetë gjatë atij viti gjithçka u përmbys.

Unë dola vullnetare për të pastrehët për një kohë. Fillova të kthehesha në meshë dhe të falesha përsëri rregullisht, teksa gjeta një ndjenjë të vërtetë përmbushjeje. Futbolli ishte me ngritje dhe ulje të mëdha, jeta në kishë më jepte një ndjenjë të qëndrueshme kënaqësie”.

Në ditët e sotme, ish-mesfushori është prift, pasi u shugurua si i tillë për Urdhrin Dominikan në vitin 2017. Ai aktualisht mbikëqyr një kongregacion në kishën e Shën Marisë Priory në Cork.

Pavarësisht se bën një jetë modeste në krahasim me kohën e futbollit, kur fitonte shumë, Mulryne nuk është penduar që e la sportin gati një dekadë më parë: "Thirrja ime për priftërim dhe jetën fetare erdhi më vonë, gjatë atij viti.

Ndjeva një dëshirë të fortë për këtë mënyrë jetese dhe qëndrova me të për disa muaj. Më pas mora guximin për ta eksploruar dhe u bëraq prift. Nuk jam penduar aspak, tetë vite më vonë”.