Transmetuar më 11-01-2023, 15:30

Më shumë se tre vjet nga shpërthimi i pandemisë së Covid 19, situata globale paraqitet më e qetë, megjithëse harta e përhapjes së virusit aktualisht ndikohet nga një sërë faktorësh.

Në një intervistë ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës, epidemiologu i njohur shqiptar, zëvendësdrejtor i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku, sqaron situatën aktuale globale të pandemisë, duke nënvizuar se pavarësisht rritjes së rasteve në Azi, sëmundshmëria, shtrimi në spital dhe vdekshmëria, janë në shifra të ulëta.

Ulqinaku vlerëson veçanërisht politikën zero dinamike me kufizime shumë të rrepta të ndjekur nga Kina në vitet e para të pandemisë, kur sipas tij ashpërsia e virusit ishte shumë e madhe dhe vdekshmëria shumë e lartë.

“Unë si epidemiolog e shikoj me shumë kërshëri dhe mund të them që vetëm një vend i madh dhe i fuqishëm si Kina mund të realizonte një politikë të tillë. Pa diskutim është masa më e mirë duke pasur parasysh që në fillimet e veta, Covid-i kishte një vdekshmëri shumë të lartë dhe them se ka qenë ndër shtetet më efikase nga gjithë pjesa tjetër deri më tani”, – tha Ulqinaku.

Me gjithë rritjen e rasteve pozitive, Kina nga 8 janari ka lehtësuar kufizimet dhe ka hapur kufijtë.

Sipas epidemiologut të njohur, këto masa nuk do të thonë domosdoshmërisht përfundim të epidemisë, por tregojnë se ka një zbutje të saj.

Arsyet e rritjes së rasteve, sipas Ulqinakut, janë karakteristikat e varianteve të reja të virusit, që kanë transmetueshmëri më të lartë, por vdekshmëri më të ulët, si dhe efikasiteti në rënie i vaksinave.

Por sipas tij, autoritetet kineze kanë vlerësuar që nuk ekziston më rreziku i një kolapsi të sistemit shëndetësor.

“Kam bindjen që autoritetet kineze e kanë vlerësuar që tashmë nuk ekziston më risku i një kolapsi të sistemit shëndetësor, pra e gjithë puna e pandemisë duke filluar nga Shqipëria është që ne mos të kemi një kolaps shëndetësor, por jeta e përditshme të vijojë normalisht…”, – tha Ulqinaku.