Transmetuar më 11-01-2023, 14:05

Carlo Ancelotti, trajneri i Real Madridit, pranoi se skuadra e tij po i afrohet ndeshjes kundër Valencias me synimin për të përmirësuar ndjeshëm performancën e ofruar kundër Villarrealit. Po kështu, ai pranoi nevojën për të qenë shumë më efektiv në mbrojtje.

Italiani shpreson të përfitojë nga Superkupa për të rifituar besimin: "Titujt janë gjithmonë të rëndësishëm për këtë klub. Titulli i sezonit të kaluar na dha shumë besim, shpresojmë se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe këtë kampionat. Duhet të përgatitemi mirë për të nesërmen, më mirë se në ndeshjen e fundit. Të përpiqemi të kthehemi në shtëpi me një titull tjetër”.

Ancelotti siguroi se ishte i befasuar nga rënia e treguar nga të tijtë ndaj Villarreal: "Shenjat në stërvitje ishin të mira, por ndeshja kundër Villarrealit më befasoi. Aspekti mbrojtës nuk ishte i mirë, ndaj duhet të punojmë dhe të tregojmë diçka ndryshe. Ky ekip di të mbrohet më mirë. Mbrojtja është themelore për ne, sepse kemi cilësinë e nevojshme përpara”.

Trajneri i madrilenëve nuk konsideron se problemi është pasojë e Botërorit: "Unë nuk e ndjej barrën e Kupës së Botës. Për të vlerësuar këtë se çfarë mund të ndodhë, duhet të prisni pak. Ne jemi të lënduar nga ajo që ndodhi me Villarrealin, por duhet të shohim se si do të reagojë skuadra në ndeshjet e ardhshme. Superkupa është një test shumë i rëndësishëm”.

Ancelotti e shpjegoi situatën me një anekdotë kurioze nga fëmijëria e tij: "Si fëmijë në shkollë kisha një sekret para provimeve. Gjyshja më thoshte ‘fute librin nën jastëk’. Unë bëja kështu dhe më dilte gjithmonë mirë".

Italiani e cilësoi si anekdotë faktin që për herë të parë në historinë e klubit madrilen, asnjë lojtar spanjoll nuk u përfshi në formacionin titullar të ndeshjes së fundit: "Mendoj se ishte rastësi, matrica e këtij klubi është spanjolle, qartësisht. Real Madridi është universal, i dashur në të gjithë botën. Kemi lojtarë spanjollë, edhe në akademinë e të rinjve".

Ancelotti pranoi se marrëdhënia e tij me bashkatdhetarin Gennaro Gattuso nuk është e njëjtë si gjithmonë: "Ne kemi pasur momente shumë të bukura, kemi fituar dy Liga Kampionesh bashkë. Kemi kujtime të shkëlqyera. Më pas, marrëdhënia nuk ka vijuar gjithmonë e mirë. Kemi pasur probleme personale, por nuk dua të flisni për to".

Trajneri i "Los Blancos" kujtoi se "shumë trajnerë kanë dalë nga ai Milan", ndërsa theksoi se "skuadrat e Gattusos janë intensive dhe kanë një identitet shumë të qartë në fushë". Së fundi, Ancelottit iu kujtua Bale, kur e pyetën për Cristiano Ronaldon: "Cristianos i urojmë më të mirën. Ai është një legjendë e klubit tonë, si Bale, i cili është pensionuar dhe ne i urojmë atij më të mirën për të ardhmen. Ata mbeten në zemrat e të gjithë tifozëve të Real Madridit".