Transmetuar më 11-01-2023, 12:54

Kur bëhet fjalë për pagat faraonike, çdo vit lind një pyetje: kush është futbollisti më i pasur në botë? E komplikuar t’i bësh llogaritë, duke qenë se të ardhurat e kampionëve të futbollit nuk vijnë vetëm nga rrogat që paguajnë klubet, por dhe ndoshta mbi të gjitha nga reklamat që bëjnë duke huazuar imazhin e tyre.

Megjithatë, tani, me marrëveshjen prej një miliard eurosh për shtatë vite mes Cristiano Ronaldos dhe Al-Nassr, të gjitha këto argumente duken krejtësisht të kota, sepse futbollisti më i pasur në botë duhet të jetë pesë herë fituesi i “Topit të Artë”. Por jo, sepse futbollisti më i pasur luan në… Tajlandë.

Faiq Bolkiah, anësori 24-vjeçar që aktualisht luan në Tajlandë për Chonburi, ka pasuri personale të vlerësuara në rreth 20 miliardë euro. Ah, për rekord ai është nipi i Sulltanit të Bruneit. Pra, të paktën teorikisht, ky është pronari i vërtetë i pasurisë ekonomike, por duke qenë se në sulltanate të gjitha burimet nuk i përkisnin gjithmonë individit, por familjes, është absolutisht e saktë të argumentohet se i riu është padyshim futbollisti më i pasur në botë.

Edhe pse 24 vjeç, ai tashmë ka një CV jo të vogël, sepse ka luajtur me ekipet e të rinjve të Southampton, Chelsea, Leicester City dhe Maritimo në Portugali. Megjithatë, eksperienca e fundit në Evropë ishte një dështim, sepse Bolkiah u largua nga Madeira pa debutuar asnjëherë me ekipin e parë, duke pranuar kështu ofertën e Chonburit për t’u transferuar në “League Thai”.

Siç tha edhe vetë, karriera e tij po merr gjithnjë e më shumë një kthesë melankolike. Ai ishte shumë afër debutimit në futbollin që ka rëndësi, por nuk ia doli kurrë ta bëjë këtë. Dhe ndoshta kjo varet nga pasuria joproporcionale e familjes së tij:

“Pas Leicester-it pata tre-katër oferta. Nga Maritimo më thanë ‘hajde këtu, do të luash’, kështu që unë u përgjigja ‘ok, dua të qëndroj vetëm një vit, gjëja e rëndësishme për mua është të luaj’. Dhe padyshim kjo nuk ndodhi. Më vjen keq që shkova në Portugali, mendoj se kishte arsye politike pse më blenë. Mendoj se nuk ishin plotësisht të sinqertë me mua".

Problemi i qartë i të qenit dorë për dore me një nga vendet më të pasura në botë është prova që paraja nuk e blen lumturinë!