Transmetuar më 10-01-2023, 16:20

Një 25 vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi u kap në flagrancë teksa pajiste me pasaportë false një shtetase turke me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Shërbimet e portit të Durrësit kanë kapur të riun, banues në Zvicër me akuzën se ndihmoi turken të kalonte kufirin.

“Shërbimet e PKK Port Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, bazuar në analizën e riskut dhe si rezultat i përdorimit të pajisjeve bashkëkohore dedektuese, kanë konstatuar dhe goditur një rast tjetër të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Si rezultat, u vu në pranga shtetasi B. J., 25 vjeç, banues në Zvicër, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

25-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në portin e Durrësit, teksa i jepte një shtetaseje turke, një pasaportë false, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.