Transmetuar më 11-01-2023, 09:45

Stuhi përtej Alpeve mbi Neymar, i cili kthehet për të mbushur faqet kryesore të mediave për shkak të dëbimit të tij të parë me karton të kuq, pas një Botërori shumë zhgënjyes. Edhe në Brazil ka shpërthyer tërbimi i kritikëve.

Walter Casagrande, i njohuri i vjetër i futbollit italian, në rubrikat e UOL goditi kampionin e PSG-së, duke vënë në dyshim profesionalizmin dhe pjekurinë e tij. Nuk është hera e parë, meqë ra fjala, që "O Ney" e tradhtojnë nervat.

Faktet na tregojnë se braziliani nuk është shumë i qetë. Është hera e pestë, në 165 paraqitje, që Neymar përjashtohet me karton të kuq te PSG-ja. Katër herë për dy kartonë të verdhë brenda një ndeshjeje.

Ish-futbollisti torinez e konsideron të papjekur: "Neymar edhe një herë dëshmoi se është person fëmijëror dhe i llastuar, brenda e jashtë fushës. Pas Kupës së Botës, ai e kaloi kohën mes festave në Brazil dhe nuk mendoj se donte të kthehej shpejt.

Ai e bëri këtë sepse Mbappé, pasi luajti më shumë se ai në Botëror dhe shënoi tre gola në finale, u kthye direkt në stërvitje me klubin. Një rikthim i hershëm, që gjithashtu e detyroi Neymar të shpejtonte aterrimin në Paris. Nuk ka asgjë spontane që ai bëri që të mos akuzohej se nuk kujdesej për PSG-në".

Casagrande më pas u fokusua tek evolucioni i brazilianit edhe nga pikëpamja njerëzore: "Nuk kam asgjë kundër Neymarit, thjesht nuk e përkëdhel. Nuk isha i bindur për ndryshimin as pas fillimit të shkëlqyer të sezonit, sepse ka mbetur ai Neymar i vjetër.

Ai është i njëjti si gjithmonë, me lsimulime e ngacmime të kundërshtarëve. Nuk ka ndryshuar kurrë. Në asgjë. Më vjen keq, por më 2017 thashë se është i llastuar. Ai ka mbetur i tillë. Praktikisht është viti 2023 dhe ka mbetur ende fëmijë.

Mungesa e përqendrimit dhe përgjegjësisë që ka është e pabesueshme. Ai mori një karton të verdhë pasi goditi kundërshtarin në fytyrë dhe më pas mori një tjetër karton të verdhë për simulim, kërkoi të vidhte një penallti. Ndoshta tani do të kthehet në Brazil për një festë të re…"