Transmetuar më 10-01-2023, 12:52

Një rikthim i mbushur me yje pritet të jetë ceremonia e 80-të e “Golden Globes”, pas një organizimi “të heshtur” më 2022-shin. Në minutën e fundit, vitin e kaluar u shndërrua në një “ngjarje private” nga organizatorët e Shoqatës së Shtypit të Huaj të Hollivudit (HFPA), pas kritikave të rënda për mungesën e anëtarësimit të personave me ngjyrë. Ky edicion jubilar mbahet sonte në hotelin “The Beverly Hilton” në Los Anxhelos dhe u organizua nga komediani amerikan, Jerrod Carmichael.

Emra të mëdhenj britanikë, mes tyre Dame Emma Thompson, Olivia Colman, Bill Nighy e Daniel Craig po kalojnë ethet e garës. Colman është ndër kandidaturat për interpretimin më të mirë në një dramë, për rolin e saj në “Empire Of Light” dhe në këtë kategori i bashkohen Cate Blanchett, Viola Davis, Ana De Armas e Michelle Williams.

Në kategorinë paralele të performancës më të mirë nga një aktor në një dramë, Bill Nighy-t i bashkohen Hugh Jackman, Austin Butler, Jeremy Pope dhe Brendan Fraser. Fraser, i cili u nominua për performancën e tij në The Whale, më parë ka bërë të ditur se nuk do të merrte pjesë në Golden Globes nëse nominohej, pas një incidenti të supozuar në vitin 2003. Pesë vjet më parë, ai zbuloi se ish-presidenti i Shoqatës së Shtypit të Huaj të Hollivudit, Philip Berk, i cili tani është rreth 90-vjeç e ngacmoi seksualisht.

Filmat e suksesshëm “Avatar: The Way Of Water” dhe “Top Gun: Maverick” kryesojnë kategorinë për Dramën më të Mirë, së bashku me “Elvis”, “The Fabelmans” dhe “Tar”.

Për filmin më të mirë: Muzikal ose Komedi gara përfshin “The Banshees Of Inisherin”, “Everything Everywhere All At Once”, “Glass Onion: A Knives Out Mystery” dhe “Triangle Of Sadness”.

Në kategorinë e regjisorit më të mirë, asnjë regjisore femër nuk është mes pretendentëve, thënë ndryshe, “peshave të rënda” të industrisë si James Cameron, Martin McDonagh e Steven Spielberg. Që të gjithë siguruan kandidime, siç bënë Tony Kushner, Daniel Kwan, Daniel Scheinert dhe Baz Luhrmann.

Taylor Swift do të përballet me mega yjet e popit Rihanna dhe Lady Gaga në kategorinë për këngën më të mirë origjinale, respektivisht për “Carolina”, “Lift Me Up” dhe “Hold My Hand”. Të fitojë më e mira!