Transmetuar më 10-01-2023, 09:58

Gareth Bale ka bërë të ditur se po i jep fund karrierës së tij profesionale. Uellsiani i "var këpucët në gozhdë" në moshën 33-vjeçare, pasi fitoi titullin e MLS me Los Angeles FC. Kujtojmë se ai fitoi edhe pesë Champions League me Real Madridin, ku kaloi një pjesë të madhe të karrierës. “Ky ka qenë vendimi më i vështirë në karrierën time”, –  ka shkruar Bale në rrjetet e tij sociale.

Bale nënshkroi për "Los Blancos" në vitin 2013, pasi mahniti Evropën me Tottenham. Uellsiani u dallua për herë të parë te Southampton, kur ishte mbrojtës i majtë, por me kalimin e kohës avancoi pozicionin e tij pothuajse duke u bërë një sulmues krahu. Ai i thotë lamtumirë edhe kombëtares së Uellsit, ku spikati në Europianin e vitit 2016 deri në gjysmëfinale.

Kështu thuhet në deklaratën e lamtumirës së Bale: “Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe të menduar, njoftoj tërheqjen time të menjëhershme nga klubi dhe futbolli ndërkombëtar. Ndihem tepër me fat që kam realizuar ëndrrën time për të luajtur sportin që dua.

Futbolli me të vërtetë më ka dhënë disa nga momentet më të mira të jetës sime. Rezultati ka qenë më i larti në 17 sezone, i cili do të jetë i pamundur të përsëritet, pavarësisht se çfarë rezervon kapitulli tjetër për mua.

Nga përballja ime e parë te Southampton deri tek e fundit me LAFC-në dhe gjithçka tjetër, krijova një karrierë klubi për të cilën kam krenari dhe mirënjohje të pamasë. Të luaja dhe të bëhesha kapiten 111 herë për vendin tim ka qenë me të vërtetë një ëndërr e realizuar.

Dua të tregoj mirënjohjen time për të gjithë ata që kanë luajtur rolin e tyre në këtë rrugëtim thuajse të pamundur. Iu jam borxhli shumë njerëzve që më ndihmuan të ndryshoj jetën time dhe të formoj karrierën në mënyra që nuk i kisha ëndërruar kurrë, kur fillova në moshën 9-vjeçare.

Falënderoj klubet e mia të mëparshme, Southampton, Tottenham, Real Madrid dhe në fund LAFC. Të gjithë menaxherët dhe trajnerët e mi të mëparshëm, shokët e skuadrës, të gjithë tifozët e përkushtuar, agjentët e mi, miqtë dhe familjen time të mrekullueshme. Ndikimi i tyre ka qenë i pamatshëm.

Falënderoj prindërit dhe motrën time. Pa përkushtimin tuaj në ato ditë të hershme, pa një themel kaq të fortë, nuk do ta shkruaja këtë deklaratë tani, ndaj faleminderit që më keni vënë në këtë rrugë dhe për mbështetjen tuaj të palëkundur.

Gruaja dhe fëmijët e mi, dashuria dhe mbështetja e tyre më kanë çuar përpara. Pikërisht pranë meje në të gjitha ngritjet dhe uljet, duke më mbajtur të vendosur gjatë rrugës. Ju më frymëzoni të jem më i mirë dhe më bëni krenar. Kështu unë ec përpara me pritje për fazën tjetër të jetës. Një kohë ndryshimi dhe tranzicioni, një mundësi për një aventurë të re".

Bale ka luajtur 111 ndeshje me Uellsin dhe ka shënuar 40 gola, duke u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për ekipin e tij kombëtar.