Transmetuar më 09-01-2023, 20:30

Itali- Lihet i lirë italiani që vrau shqiptarin me pushkë.

Gjykata e Arezzo-s ka lënë të lirë Sandro Mugnai, i cili duke qëlluar pesë të shtëna me pushkë vrau fqinjin shqiptar Gëzim Dodoli, mbrëmjen e 5 janarit. Teksa Dodoli po punonte me një ekskavator duke prishur shtëpinë në të cilën ndodhej Mugnai me familjen, u vra.

Gjyqtari hetues vlerësoi se nuk ka rrezik arratisjeje, përsëritjeje të krimit apo rrezik nga manipulimi i provave dhe nuk ka urdhëruar masë sigurie ndaj 53-vjeçarit italian. Ndërsa avokatët mbrojtës, Marzia Lelli dhe Piero Melani Graverini u fokusuan tek nevoja e ushtrimit të mbrojtjes legjitime, çështje e cila më pas do të trajtohet sërish në vijimësi të procedimit. Ndërkohë autori që qëlloi 5 herë mbi shqiptarin argumentoi para gjykatësit se do të mbronte familjen e tij që ndodhej në rrezik për jetën nga shembja e menjëhershme dhe e mundshme e çatisë së shtëpisë, e cila u sulmua me goditjet e ekskavatorit të drejtuar nga Dodoli.

Si ndodhi ngjarja?

Rreth orës 20:30 të 5 janarit në shtëpinë e Sandro Mugnai po darkohej. Në tavolinë ndodheshin 2 vajzat e 53-vjeçarit dhe persona të tjerë. Në një moment dëgjojnë zhurmë. Shtëpia po tronditej nga goditjet e mjetit të rëndë. Në tentativë për t’i shembur shtëpinë, rrugës shqiptari dëmtoi edhe 4 automjete. Më pas goditi dritaret e katit të parë, ashtu sikurse çatinë. Në këtë moment Mugnai u ngrit, mori armën e gjahut dhe qëlloi disa herë në drejtim të shqiptarit. Të paktën 3 plumba shkatërruan xhamin e ekskavatorit dhe goditën edhe 59-vjeçarin shqiptar. Përveç të shtënave, dëgjoheshin britmat e atyre që ndodheshin në shtëpi, ashtu sikurse edhe motori i ekskavatorit që vijonte të ishte i ndezur, ndërkohë që Dodoli ishte në agoni. Kur karabinierët dhe zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, 59-vjeçari kishte ndërruar jetë. Mugnai u dërgua në policinë e Arezzo-s, ndërsa autoritetet fikën mjetin dhe ndihmuan familjen që të dilte nga shtëpia tejet e dëmtuar. Më vonë, banesa u shpall e pabanueshme.