Transmetuar më 09-01-2023, 15:45

Lihen në burg nënë e bir, vodhën qindra mijë euro në banesën e ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt

Nënë e bir, Rozeta dhe Havier Dobi janë lënë në burg në ditën e sotme pasi akuzohen për vjedhjen e qindra-mijëra eurove në banesën e ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetajt, Alda Klosi.

Rozeta Dobi e cila është njohur sot me vendimin e gjykatës ka vjedhur shtëpi të ndryshme në kryeqytet në të cilat punonte si pastruese.

Përveç ish-shefes së kabinetit të ish-zëvendëskryeministrit Ahmetaj, ndaj Rozeta Dobi ka pasur denoncime edhe nga tre pronarë banesash në të cilat ajo punonte. Në banesën e ish-zyrtares Alda Klosi, Rozeta së bashku me të birin vodhën 120 mijë euro si dhe bizhuteri me vlerë.

Pas arrestimit të dy autorëve, policia kreu një tjetër kontroll në banesën e Rozeta Dobit.

Gjatë kontrollit, në tubin e aspirimit u gjetën mbi 404 mijë euro, 8500 dollarë dhe bizhuteri floriri, të cilat tashmë janë sekuestruar nga policia.

Rozeta Dobi, e cila punonte si pastruese në shtëpinë e Klosit kishte arritur të kopjonte çelësat dhe në bashkëpunim me djalin e saj vodhën paratë, ndërsa më pas e inskenuan ngjarjen si grabitje.

Sipas dosjes së hetimit, Rozeta Dobi së bashku me të birin kanë blerë edhe 2 makina Benz, të cilat 23-vjeçari i reklamonte në rrjetet sociale.

Ndërkaq, prokuroria ka nisur edhe një hetim ndaj për burimin e parave që ish-shefja e kabinetit të Ahmetajt Alda Klosi mbante në shtëpi.

Ndërkohë kjo e fundit ka thënë se këto para i kishte të deklaruara dhe se i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait të saj në SHBA.