Transmetuar më 09-01-2023, 11:33

Pasi firmosi kontratën 18 mujore në stolin e kombëtares së Shqipërisë, me synimin e qartë për t’u kualifikuar në finalet e “Euro 2024”, braziliani Sylvinho foli para gazetarëve, iu përgjigj pyetjeve të tyre. 48-vjeçari brazilian ka fituar trofe si futbollist me skuadra si Barcelona dhe Arsenali, ndaj ish-mbrojtësit të majtënuk i mungon eksperienca në këtë drejtim. Sigurisht, si trajner është në hapat e parë:

“Doja t’ju falënderoja që jeni këtu. Jam i kënaqur. Puna e një trajneri është e vështirë, kurrë e thjeshtë. Duhet të bëjmë zgjedhje, herë fiton dhe herë jo. Falënderoj Rejën për punën e bërë, futbollistët e Shqipërisë për zemrën dhe pasionin.

Kemi dëshirë të sjellim rezultate pozitive, ta dërgojmë kombëtaren në pozicionin e duhur. Këtë pashë kur takova presidentin për herë të parë. Edhe ai pa te ne urinë dhe dëshirën për të bërë mirë, për t’i dhënë vazhdimësi projektit. Të gjithë flasin për zgjedhjet e trajnerit apo pozicionin e tij. FSHF më bindi të merrja përsipër këtë punë. Jemi të kënaqur, besoj se do të bëjmë një punë të mirë.

A e ka mundësinë kjo kombëtare që të konkurrojë me Poloninë dhe Çekinë dhe kualifikohet në “Euro 2024”? Para të gjithash mendoj se kombëtarja e futbollit duhet t’i përfshijë të gjithë. Jeni ju, jemi ne. Futbolli duhet të qëndrojë në zemrat dhe shpirtin e njerëzve. Për këtë arsye jemi këtu. Më pas do të shohim për skemat dhe modulet. Unë mendoj që futbolli ndryshon.

Në futbollin e niveleve të larta gjithçka ndryshon. Jemi këtu për të dhënë maksimumin. Para pak kohe mbaroi një Botëror, që la shumë mesazhe të rëndësishme sa iu përket metodave të lojës. Gjithashtu na la dhe mesazhin që futbolli është sakrificë, djersë dhe mund.

Flasim për stazhin që do të bëjë grupi. Është një grup shumë i ekuilibruar. Nuk do të jetë e lehtë. Por ne duam të kualifikohemi. Do të punojmë fort për këtë objektiv. Është e vështirë, por ne do të luftojmë fort.

Cilat janë pikat e forta të kombëtares shqiptare? Dy ndeshje miqësore i kam parë. Kam punuar me Rey Manajn, kur ishte pjesë e Interit. Po, e njoh shumë mirë kombëtaren shqiptare. Ka futbollistë të rëndësishëm. Ne do të punojmë si staf. Do të nisim punën në Tiranë. Pas kësaj kontrate do të nisim punën, e cila do të ndahet në dy pjesë.

Pjesa e parë lidhet me monitorimin e lojtarëve, si luajnë ata; pastaj do të shkojmë t’i shohim në ligat e tyre ‘live’, në fushë. Kemi punë për të bërë. Mendoj se gjenerata është rritur. Kemi futbollistë të rinj. Në këtë pjesë kemi shumë për të bërë. Mendoj se është një kombëtare e rëndësishme. Doja të përmendja dy futbollistët që janë të dëmtuar dhe iu uroj të kthehen sa më shpejt.

Uroj të kthehen sa më shpejt Armando Broja dhe Keidi Bare. Kam punuar 4 vite si zv.trajneri i Brazilit me Tite. Ne si staf përshtatemi, punojmë çdo ditë. Erdha këtu që t’i jap vazhdimësi punës së trajnerit Reja. Normalisht do të përfshijmë edhe mentalitetin tonë për futbollin. Ndeshja e parë është shumë e vështirë. Grupi është i ekuilibruar, por jemi të bindur që do garojmë për kualifikimin. E dimë çfarë duhet të bëjmë, jemi koshientë.

Bashkëpunim Brazil-Argjentinë si staf i kombëtares shqiptare? Luajta me Pablon te Manchester City, kemi një raport të rëndësishëm së bashku. Jashtë fushe kemi respekt të jashtëzakonshëm për njëri-tjetrin, kam shumë miq argjentinas. Duhet të imponohemi në fushë, duhet të jemi agresivë. Nevojitet agresivitet sportiv, nuk do të thotë dhunë, por presingu që bën dhe fakti nëse vendos në vështirësi kundërshtarin.

Ndihmësit e mi janë persona të sinqertë dhe të çiltër. Ne duam të japim idenë e duhur për futbollin, si të marrim rezultate dhe të rrisim nivelin. Nuk mund të mungojë kurrë në fushë shpirti dhe zemra.

Projekti është shumë i mirë. Jam një person që punoj shumë, më pëlqejnë sfidat dhe kam mentalitetin e duhur. Dua të ndihem si në shtëpi këtu. Më dha përshtypje shumë të mira atmosfera rreth kombëtares shqiptare. Këto më dha një shtysë të fortë në zemrën time që të zgjidhja kombëtaren e Shqipërisë".