Transmetuar më 09-01-2023, 10:00

Shkodër- Zbulohen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që tronditi opinionin publik, ku 32-vjeçarja Oriana Grami i mori jetën foshnjës së saj të sapolindur, duke e hedhur në lumin Kir.

Në lidhje me ngjarjen ka folur psikologia e maternitetit të Shkodrës, Blerta Rroji, e cila ka treguar bisedën e fundit që ka pasur me 32-vjeçaren para se ajo të kryente aktin e rëndë.

Rroji tregoi se ka komunikuar me 32-vjeçaren, edhe pasi doli nga spitali dhe ajo i kishte thënë se ishte shumë mirë me foshnjën e saj dhe se nuk duhej të merakosej.

“E kam pyetur si është gjendja e saj, si është gjendja e fëmijës. Oriona më ka treguar se fëmija është shumë mirë, unë vetë jam shumë mirë, nuk kemi asnjë lloj problemi, familjarët e mi janë duke më ndihmuar. Pasi ka dalë nga spitali, atë ditë, më 4 janar. E kam pyetur në telefon, kam komunikuar atë ditë me të dhe më ka thënë që unë dhe fëmija jemi shumë mirë, mos u merakos për ne,”- theksoi ajo, për Euronews.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur të premten e 6 janarit, ku Gremi hodhi foshnjën e saj në lumin Kir.