Transmetuar më 08-01-2023, 22:36

Gruaja e Gent Hazizit ishte e ftuar në episodin e parë të “Big Brother Fan Club”, për të komentuar të gjitha ndodhitë e shtëpisë.

Eltona Hazizaj komentoi debatin e ashpër që ka ndodhur në shtëpi mes bashkëshortit të saj dhe Olta Gixharit.

Eltona theksoi se Genti është i drejtpërdrejtë, por asnjëherë nuk ofendon.

“E prisja këtë debatin, por ai është shumë i sinqertë. E dija që do të reagonte ndaj të tilla ofendimeve të tepruara. Unë nuk kam parë që Genti ka fyer Oltën, kam dëgjuar ofendime të pafundme nga ana e Oltës, të cilat as te fëmijët e vegjël që zihen për gjëra banale nuk i kam parë.

T’i thuash dikujt aty brenda të gjitha fjalët ofenduese të fjalorit, pa pasur pasur asnjë konflikt bazik, mua më duket e tepërt. Ndërkohë, nga ana e Gentit nuk kam parë asnjë lloj ofendimi. Genti reagon, përgjigjet, dhe kjo është mënyra e tij për të vënë barrierat e veta, por nuk ofendon. Jam e bindur për këtë, që nuk do ta bëjë me asnjë nga banorët aty brenda”.

Gruaja e aktorit shprehet me bindje se “Genti nuk do të dalë asnjëherë nga karakteri i tij”.

“Ai është shumë i drejtpërdrejtë, i thotë gjërat që mendon. Nuk lejon dikë që ta shkelë në personalitet dhe jam e bindur se deri në fund të karrierës, nuk do të devijojë nga karakteri dhe personaliteti. Nuk do të ndryshojë karakterin e tij për hir të lojës. Kjo është e sigurt”.

Moderatorja Megi Pojani kërkoi të dijë nga Eltona se si sillet në debate jashtë shtëpisë Genti.

“Genti është një person që bën shumë debat, ulet dhe flet gjatë. Flet dhe argumenton tërë kohës. Unë nuk e kam parë Gentin në situata të tilla që të sulmohet në atë formë. Unë mendoj që Genti u sulmua që në momentin që hyri në kuzhinë. U duk sikur strategjia e Gentit ishte të zaptonte kuzhinën”, u përgjigj ajo.

E pyetur nëse ishte dakord që partneri i saj të ishte banor në shtëpinë e “Big Brother VIP 2” dhe cila ishte porosia e fundit që i dha, Eltona thotë:

“Në momentin e parë që Genti na tha se po e konsideronte këtë projekt, ne e hodhëm me votë në familje. Dolëm tre me dy. Ajo që nuk donte isha unë dhe djali i madh. Në fillim nuk doja.

Genti ka ikur nga shtëpia ditën e enjte, pas tre ditësh që kishte xhirime të një seriale. Nuk qethi as flokët. Iku, na takoi dhe tha zere se po iki në punë. Toni (djali) tha kam dëgjuar ca emra kush do hyjë, por ai i tha jo mos m’i thuaj se nuk dua të hyj me paragjykime. Mori çantat që unë i kisha bërë gati dhe iku”.

Eltona u prek emocionalisht kur kujtoi se vajza e saj është ndjerë keq kur ka parë të atit në disa skena debatesh të nxehta brenda shtëpisë:

“E vetmja gjë që kam pasur siklet ka qenë goca, sepse ajo është prekur gjatë dy episodeve që ka parë dhe është prekur. Unë jam detyruar ta heq, se tha po më mërzisin babin dhe filloi të qajë. Dhe mendoj se meraku më i madh i Gentit ai është, se si mund të ndihen fëmijët nëse shohin të tilla gjëra”.