Transmetuar më 08-01-2023, 20:10

Vjedhjet e shtëpive të futbollistëve gjatë kohës që këta të fundit ndodhen në fushën e blertë duke luajtur, janë kthyer në një shqetësim të madh. Rastet pasojnë njeri-tjetrin. Së fundmi, në shënjestrën e hajdutëve, ka qenë edhe vila e Gennaro Gattusos.

Ngjarja ka ndodhur gjatë mbrëmjes të së premtes, teksa po luhej sfida Valencia-Cadiz (0-1). Mundo Deportivo dhe Las Provincias, raportojnë se një bandë hajdutësh tentuan të hynin në shtëpinë e ish-mesfushorit italian, i cili aktualisht është trajner i Valencias.

Brenda vilës, në një provincë rreth 4 km larg qendrës së qytetit të Valencias, është akomoduar familja e Gattusos. Për fat të mirë, keqbërësit nuk ia arritën qëllimit, si pasojë e sistemeve të larta të sigurisë, funksionimit të tyre dhe qenve të pranishëm.

Gattuso ka bërë denoncimin në policinë spanjole, që po punon për të identifikimin dhe arrestimin e autorëve të ngjarjes.