Transmetuar më 08-01-2023, 12:47

TIRANË- Detaje të reja nga vjedhja e vilës nga pastruesja dhe djali i saj në Tiranë.

Pastruesja, Rozeta Dobi, kishte përdorur kopjen e çelësit që kishte marrë nga pronarët e shtëpisë që të futej brenda saj me të birin. Gruaja e cila në mirëbesim iu la çelësi i banesës për ta pastruar, shfrytëzoi momentin kur në shtëpi nuk ka pasur asnjeri për të sinjalizuar të birin, Havier Dobin, për të grabitur shumën e madhe e cila arrin mbi 500 mijë euro, dollarë dhe aksesorë floriri.

Pasi kanë marrë paratë ata kanë bërë rrëmujë të gjithë banesën për të humbur gjurmët dhe më pas janë larguar, duke e shfaqur ngjarjen sikur ka ndodhur nga persona të tjerë.

Grabitja e banesës te Rruga e Kosovarëve ka ndodhur në datë 15 Dhjetor. Aty banonin një grua me vajzën e saj, identitetet e të cilave nuk janë bërë të ditur.

Nënë e bir ranë në pranga ditën e djeshme, ndërkohë policia është kthyer për kontroll sërish në shtëpinë e tyre ku ka gjetur mbi 400 mijë euro dhe aksesorët e floririt të fshehura në tubin e aspirimit.