Transmetuar më 08-01-2023, 10:06

Durrës- Arrestohen 2 persona, të cilët akuzohen për një vjedhje me armë zjarri të një dyqani në qytetin bregdetar.

Policia vendore informon se ‘shërbimet e komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas njoftimit të marrë mbrëmjen e datës 06.01.2023, për një rast vjedhjeje të ndodhur në një biznes (dyqan me produkte ushqimore), në lagjen nr. 15, Durrës, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve të kësaj vjedhjeje.

Bazuar në provat e siguruara, në kuadër në kuadër të operacionit policor “Step by step”, u bë identifikimi dhe arrestimi i O. M., 34 vjeç, banues në lagjen nr. 16, Durrës, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe E. Sh., 35 vjeç, banues në lagjen nr. 13 Durrës, i dënuar më parë për vjedhje.

Nga hetimi i ndjekur me metoda speciale, si dhe nga këqyrja e imtësishme e pamjeve nga kamerat e sigurisë, ka rezultuar se këta dy persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nën kërcënimin e armës së zjarrit kallashnikov që mbahej nga E. Sh., kanë marrë rreth 15.000 lekë të rinj (xhiro ditore), mbrëmjen e datës 06.01.2023, në dyqanin e shtetases M. D., në lagjen nr. 15, Durrës.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti dhe veshjet që përdorën këta shtetas, gjatë kryerjes së vjedhjes, si dhe 3 aparate celularë.

Nga veprimet hetimore është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i autorësisë edhe për dy vjedhje të ndodhura më parë, të kryera nga këta dy shtetas, konkretisht:

– Më datë 19.11.2022, në Arapaj, Durrës, këta shtetas dyshohet se kanë vjedhur në dyqanin e shtetases E. S. një shumë parash;

– Më datë 27.12.2022, në lagjen nr. 6, në Durrës, dyshohet se kanë vjedhur sende me vlerë në banesën e shtetasit B. H.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.