Transmetuar më 08-01-2023, 07:57

Herën e fundit kur mbështeta argumentin për zgjedhjen e arit ishte në prill 2021. Asokohe, çmimi i arit ishte rreth 1700 USD për ons dhe që nga 10 dhjetori 2022, është rreth 1800 USD.

Ju mund të mendoni se kjo nuk është një performancë e shkëlqyer dhe se autori është i fiksuar me idenë e përdorimit të arit. Përpara se të dilni në këto përfundime, merrni parasysh faktorët e mëposhtëm:

(a) Në lidhje me pothuajse çdo klasë tjetër asetesh (p.sh. borxhi dhe aksionet që kanë rënë me nga 20% ose më shumë gjatë këtij horizonti kohor), kjo nuk është një performancë e keqe!

(b) Kur marrim parasysh se në të njëjtin horizont kohor, Dollari Amerikan është forcuar ndjeshëm, ecuria e arit është edhe më e jashtëzakonshme. Po ta masim kundrejt çdo monedhe tjetër përveç Dollarit, performanca e arit ka qenë e fortë.

(c) Megjithëse në prill 2021, fola për forcat themelore të tregut që mund të rrisin vlerën e arit, nuk isha aq i guximshëm (ose budalla) sa të parashikoja se kur mund të ndodhte një rritje kaq e madhe e vlerës së arit. Duket se forcat themelore të tregut janë edhe më të forta sot, gjë që do të jetë tema e këtij artikulli.

Do ta përmbledh argumentin aktual për arin, në pesë pika:

1.Lufta kundër inflacionit mund të jetë tashmë e humbur.

Inflacioni mbetet i pakontrolluar dhe normat reale të interesit mbeten tejet negative.

Lagarde, presidentja e Bankës Qendrore Europiane, kohët e fundit deklaroi se edhe një recesion, nuk do të mjaftonte për të ndrequr inflacionin. Në SHBA, shtrëngimi monetar ka pasur veçse një efekt minimal në uljen e inflacionit:

Normat reale negative të interesit mbeten të shfrenuara në të gjithë botën. Humbja e fuqisë blerëse e tejkalon interesin e kursimeve. Mbajtja e bonove ose llogarive të kursimit është një sjellje e palogjikshme nëse nuk beson se inflacioni do të ulet relativisht shpejt.

Ndërsa po bëhet gjithnjë e më e dukshme se kjo nuk do të ndodhë, dhe normat reale negative të interesit do të vazhdojnë në të ardhmen e parashikueshme, prirja drejt arit mund të bëhet gjithnjë e më e vrullshme.

2.Bankat qendrore po grumbullojnë një sasi rekord ari.

Alan Greenspan, ish-kryetari i Rezervës Federale të SHBA-së, ka thënë dikur: “E shoh arin si monedhën kryesore globale. Është e vetmja monedhë, së bashku me argjendin, që nuk kërkon nënshkrimin e një kundërpale”.

Akumulimi i arit nga bankat qendrore është një tregues i mundshëm se ato dëshirojnë të mbrohen kundër një krize të mundshme financiare në të ardhmen dhe se janë më pak të prirura ndaj Dollarit Amerikan si monedhë rezervë.

3.Bitcoin, e konsideruar nga shumë si një konkurrent apo zëvendësues i arit, ka rënë.

Brenda një kohe të shkurtër, Bitcoin ka rënë nga rreth 60,000 USD, në rreth 17 000 USD. Shumë shkëmbime në Bitcoin janë hakeruar ose janë shembur. Akuzat për mashtrime janë të shumta.

Në këto kushte, kush do të donte të ruante kursimet e veta në Bitcoin? Çuditërisht, mbeten disa njerëz të guximshëm. Për mendimin tim, Bitcoin nuk do të arrijë më kurrë nivelin e besueshmërisë që gëzonte më parë dhe ari do të marrë shkëlqim të ri. Ari mund të duket paksa i modës së vjetër, sigurisht, sepse ai ka një histori disa mijëravjeçare.

4.Tensionet gjeopolitike në botë janë shumë më të larta.

Gjenerali amerikan Mattis, kohët e fundit deklaroi në një mbledhje me 2700 shefa kompanish: “Tani po jetojmë në një periudhë stabiliteti në krahasim me atë që do të vijë”. Ka kaq shumë pika presioni në botë sot jashtë Ukrainës – nga Tajvani në Lindjen e Mesme.

Putini nuk ka hequr dorë nga përshkallëzimi i luftës. Kohët e fundit, ai ka bërë deklarata për gjasat e rritjes së luftës bërthamore dhe Rusia ka përfshirë në strategjinë e saj ushtarake një sulm parandalues bërthamor. Zhvillimi ekonomik i Kinës i rrit shanset për një përplasje të mundshme midis saj dhe SHBA-së.

Ari është një strehë e natyrshme në kohë tensionesh gjeopolitike dhe lufte.

5.Bota duket se po i drejtohet jo vetëm një recesioni, por një krize të plotë financiare.

Mbi 50 vende në zhvillim po përballen me rrezikun e krizës financiare, sipas OKB-së.

Si do të shlyejë SHBA-ja një borxh prej 32 trilionë dollarësh me një normë prej 5%, në një kohë kur të ardhurat totale nga taksat janë në intervalin 3-4 trilionë dollarë?

Duke pasur parasysh se një levë e lartë financiare shoqërohet me paqëndrueshmëri financiare – dhe leva globale financiare është tejet e lartë – njerëzit po humbasin besimin në parashikimet e Rezervës Federale mbi inflacionin dhe në vlerën e monedhave Fiat.

Të kesh të paktën një përqindje të pasurisë në ar, duket si një zgjedhje gjithnjë e më logjike. Nuk ka asnjë strehë të sigurt në kohë krize: ndërsa ari mund të ulet në vlerë me rënien e çmimeve, ai zakonisht ka prirjen të bjerë më pak dhe të rimëkëmbet më shpejt.

Ky artikull nuk duhet të interpretohet si këshillë financiare. Forcat e lartpërmendura të tregut janë në lojë, por asnjë ekonomist nuk mund të parashikojë se kur ari do të bëjë lëvizjen e tij. Ari, si një përqindje e vogël e portofolit të dikujt – qoftë për një individ apo fond pensionesh – duket se është një mbrojtje gjithnjë e më logjike.

Siç shkroi dikur George Bernard Shaw: “Ju duhet të zgjidhni midis besimit në stabilitetin natyror të arit dhe… ndershmërisë dhe inteligjencës së anëtarëve të qeverisë. Dhe me gjithë respektin e duhur për këta të fundit, ju këshilloj të zgjidhni arin për sa kohë që do të zgjasë sistemi kapitalist./MONITOR