Transmetuar më 07-01-2023, 20:04

KOSOVË- Një incident u regjistrua një ditë më parë në Veri të Kosovës ku një pjestar i FSK-së plagosi një të mitur dhe një të ri serb.

Reperi Gramoz Aliu, i njohur si Mozzik, i ka dalë në mbrojtje Azem Kurtajt, i cili plagosi dhe dy serbë, mes tyre dhe një i mituri e më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Mozzik ka postuar në Instagram një fotografi të një pjesëtarit të arrestuar të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe ka shkruar se Kurtaj nuk është kriminel.

"Azem Kurtaj rrjedh nga një familje që sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës. Familja Kurtaj ka dy dëshmorë të UÇK-së: babain e Azemit, Danushin dhe dajën Xheladin. Njerëzit që e njohin Azem Kurtajn e dinë se çfarë personaliteti është ai. Azemi nuk është kriminel. Azem Kurtaj nuk është kriminel,"-shkruan Mozzik në foton e postuar, gjë që ka shkaktuar reagime të forta tek mediat serbe.

Stefan dhe Millosh Stojanoviç u plagosën dje në Gotovushë afër Shtërpcës në Republikën e Kosovës. Në momentin e sulmit, fëmijët ishin duke ecur në anë të rrugës dhe po mbanin pemën e Krishtlindjes kur sulmuesi hapi zjarr ndaj tyre. Njëri djalë u qëllua në dorë, tjetri në shpatull, por jeta e tyre nuk është në rrezik. Ndërkohë që Kurtaj është arrestuar edhe pse u largua nga vendi i ngjarjes.