Transmetuar më 07-01-2023, 15:02

Peshkopi- Ngjarje e rëndë në aksin Maqellarë-Peshkopi.

Mësohet se mjet i tonazhit të rëndë ka pësuar një defekt dhe ka bllokuar aksin në këtë rrugë. Por në momentin që patrulla e policisë ka shkuar në vendngjarje, një nga gomat e kamionit ka plasur duke plagosur rëndë një oficer policie me emrin Tonin Tosku.

Punonjësi i policisë është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi ka dëmtuar rëndë të dyja këmbët, ndërkohë që pritet të vi helikopteri për ta sjell në Tiranë.

Policia informon se rreth orës 14.00, në vendin e quajtur ‘Qenok’, aksi rrugor Maqellarë-Peshkopi, një mjet i tonazhit të rëndë kamion ka pësuar defekt duke bllokuar aksin rrugor. Menjëherë patrulla e Policisë Rrugore ka shkuar në vendin e ngjarjes me qëllim menaxhimin dhe hapjen e trafikut për automjetet. Gjatë momentit që punonjësi i Policisë Rrugore po rregullonte trafikun, ka plasur njëra nga gomat e kamionit dhe është lënduar rëndë punonjësi i policisë rrugore shtetasi T.T. Punonjësi i Policisë është dërguar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka dëmtuar të dy këmbët. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje. Pritet helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë për të transportuar punonjësin e Policisë drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Vetëm një ditë më parë, një gomë kamioni plasi në Lezhë, duke i marrë jetën një punonjësi servisi.Rastet janë nën hetim.