Transmetuar më 07-01-2023, 10:14

Binjakët e golit në fushë, vëllezër në jetë. Një marrëdhënie e veçantë mes Roberto Mancinit dhe Gianluca Viallit, e veçantë deri në fund. Në fakt, trajneri i kombëtares italiane fluturoi në klinikën ku ishte shtruar ish-kampioni më 29 dhjetor për t’i dhënë lamtumirën e fundit shokut të tij të përjetshëm.

Një përqafim që të dy e dinin se do të ishte i fundit. Po aq i rëndësishëm sa ai në “Wembley”, po ashtu në Londër, më 11 korrik 2021. Trajneri i axurrëve e kujton kështu atë takim të fundit: "Ai ishte i pafuqishëm, me pak zë, por kokëfortë. Një luan deri në fund.

Ne folëm pak mbi gjithçka, madje më pyeti se si shkoi praktika e dhjetorit me të rinjtë, vërtet më mbushi me pyetje. Donte të dinte gjithçka, donte të dinte ecurinë e projektit tonë”. Këto fjalë të Mancini janë raportuar nga Andrea Elefante në “Gazzetta dello Sport”.

Vialli ishte shtruar në spital prej disa ditësh në Londër. “Një javë më parë, Gianluca më kishte kërkuar ta prisja, ai donte të rezervonte të gjitha energjitë e tij më të mira për fazën e fundit të luftës me sëmundjen e rëndë”, – shton më tej Mancini. Takimi u shty për më 29 dhjetor, kur trajneri i Italisë fluturoi drejt Anglisë për t’i dhënë lamtumirën vëllait të tij binjak.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd