Transmetuar më 06-01-2023, 11:51

Dy ditë para finales së Kampionatit Evropian 2021, e fituar më pas me penallti nga axurrët ndaj Anglisë në “Wembley”, Gianluca Vialli, që sot humbi betejën me sëmundjen e rëndë të kancerit në pankreas, kreu i delegacionit të kombëtares italiane në atë kohë, foli para gjithë ekipit në qendrën teknike të “Coverciano”, duke arritur të kapërcejë lotët.

Për t’i frymëzuar të tijtë, ai lexoi një fragment nga fjalimi “lapidar” i presidentit amerikan Franklin Delano Roosevelt, "Njeriu në arenë". Fjalë prekëse që janë përjetësuar nga dokumentari “Sogno Azzurro”, të cilin “Rai” ia kushtoi suksesit të kombëtares italiane në “Euro 2020”, që u luajt një vit më vonë për shkak të pandemisë.

Sikurse duket edhe në video, që po e sjellim në vëmendje të lexuesit për të treguar madhështinë e ish-sulmuesit të shquar të Sampdoria, Juventus, Chelsea, ky është teksti: “Nderi i takon njeriut në arenë, njeriut që fytyra i është mbushur me pluhur, djersë dhe gjak.

Njeriut që lufton me guxim, i cili gabon vazhdimisht, duke e ditur se nuk ka asnjë qenie të denjë për këtë emër pa gabime. Ky njeri nuk do të ketë kurrë vend pranë atyre shpirtrave mediokër që nuk njohin as fitore dhe as disfatë.

Njeriut që i kushton gjithë veten arritjes së një qëllimi, që di të jetë entuziast dhe i përkushtuar deri në fund dhe që sakrifikohet për një kauzë të drejtë. Njeriut që, kur gjërat shkojnë mirë, më në fund njeh triumfin e pushtimeve të mëdha dhe që, kur gjërat shkojnë keq, bie duke ditur se guxoi”.