Probleme njëri pas tjetrit për Cristiano Ronaldon, sapo u prezantua nga Al-Nassr. Zgjidhi atë të bashkëjetesës me Georgina (që dukej se mund të hidhte në erë transferimin e tij) dhe ‘mori’ paralajmërimin e Juninhos (për trajnerin e tij të ri Rudi Garcia).
Sipas burimeve nga Arabia Saudite, ylli portugez nuk është regjistruar ende nga klubi i Riadit, ndaj për këtë arsye nuk do të jetë në gjendje të luajë në ndeshjen e kampionatit kundër Al Ta-ee (pezullimi me dy ndeshje, i vendosur nga Federata Angleze e Futbollit e pengon gjithashtu CR7).
Shpjegimi për regjistrimin që nuk është bërë ende, i dhënë nga një burim i Riadit, i cili kërkoi anonimitetin, është se klubi i ri i portugezit ka tejkaluar numrin e të huajve të kualifikuar për federim. Në ligën saudite, çdo skuadër mund të ketë deri në tetë të huaj, por me ardhjen e Ronaldos, Al Nassr i Rudi Garcias ka nëntë të tillë në përbërje.
Prandaj, para se të jetë në gjendje të luajë pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, klubi saudit duhet të shesë një lojtar të huaj. Duke pasur parasysh se portieri kolumbian Ospina, brazilianët Luiz Gustavo dhe Talisca dhe sulmuesi i Kamerunit Vincent Aboubakar konsiderohen të patransferueshëm, zgjedhja e Al Nassr do të jetë një nga katër të tjerët.
I dyshuari kryesor, sipas një burimi të klubit, është mesfushori uzbek, Jalaluddin Masharipov, i cili për kuriozitet është edhe ai që deri më tani ka veshur fanellën verdheblu me numër 7, e cila tashmë do të kalojë mbi supet e Ronaldos.
“Ka negociata në vazhdim për shitjen e një prej të huajve tanë, – tha burimi i Al-Nassr, – por ato nuk janë ende në fazën përfundimtare”. Lidhur me Ronaldon, Al-Nassr do të ketë një problem tjetër për të zgjidhur. Ky është pikërisht pezullimi me dy ndeshje i lojtarit portugez nga Federata Angleze e Futbollit, lidhur me momentin kur CR7 i flaku celularin një tifozi autik me shuplakë, teksa largohej nga fusha pas humbjes së Manchester United ndaj Evertonit.
FA kishte specifikuar më pas, pas lamtumirës së Ronaldos nga ‘Djajtë e Kuq’, se masa ishte e vlefshme globalisht dhe për këtë arsye duhej të zbatohej edhe në kampionatin ku CR7 kishte shkuar të luante. Kjo vlen edhe për kampionatin saudit.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd