Transmetuar më 06-01-2023, 08:24

Cristiano Ronaldo ka pushuar së përfaqësuari nga agjenti i tij prej kohësh, portugezi Jorge Mendes, pas mosmarrëveshjeve mes të dyve për të ardhmen e karrierës së futbollistit, sipas raportimeve në shtypin portugez.

Gazeta "Público" raporton se Jorge Mendes pushoi së qeni përfaqësues i CR7 në nëntor, pas polemikave mes sulmuesit dhe klubit të tij në atë kohë, Manchester United. Mendes, i konsideruar si agjenti më me ndikim në botën e futbollit, ishte kundër intervistës shpërthyese të Cristianos me gazetarin anglez Piers Morgan dhe largimit të tij nga "Old Trafford".

Kështu, dhe gjithashtu për shkak të opinioneve të ndryshme për të ardhmen e karrierës së lojtarit, të dy zgjodhën të ndërpresin lidhjen e tyre, e cila daton që nga fillimet e Ronaldos si profesionist te Sporting Lisbona.

Diferencat mes të dyve kishin nisur me largimin e CR7 nga Juventusi në vitin 2021 dhe kulmuan për shkak të vështirësive në gjetjen e një skuadre, që do të përmbushte kërkesat e yllit portugez, i cili donte një rol lideri dhe të luante në Champions League.

"Público" gjithashtu raporton se rikthimi i tij te Manchester United u shënua nga "sjellja e keqe e Cristianos, shumica e tyre nuk u bënë kurrë publike. Kjo ishte arsyeja për ankesën e Manchester United ndaj Jorge Mendes".

Për shkak të situatës delikate të CR7 në "Old Trafford", i cili mungoi në përgatitjet parasezonale dhe pati pak minuta aktivizim me trajnerin holandez, Mendes u përpoq t’i gjente atij një klub të ri. Në nëntor mori ofertën fillestare nga sauditët e Al Nassr, ekipi i tij i ri.

Megjithatë, Ronaldo vazhdoi t’i kishte sytë nga Evropa dhe shpresonte të kishte një Botëror të mirë në Katar, gjë që do t’i sillte ofertën e duhur. Me eliminimin e Portugalisë në çerekfinale ndaj Marokut (1-0), ndeshje nga e cila u largua i përlotur, ai zgjodhi të rikuperonte ofertën nga klubi i Riadit, por pa mbikëqyrjen e Mendes.

Përfaqësuesi i tij tashmë është bashkëkombasi Ricardo Regufe, i cili prej disa vitesh ishte i lidhur me markën amerikane të veshjeve sportive Nike. Ishte ai që e shoqëroi lojtarin në udhëtimin drejt Arabisë Saudite. Të drejtat e imazhit të CR7 vazhdojnë të menaxhohen nga ‘Polaris’, një kompani e lidhur me ‘Gestifute de Mendes’.

Cristiano Ronaldo, 37 vjeç, më në fund u prezantua si lojtar i ri i Al Nassr, nga Arabia Saudite, në një ceremoni madhështore ku morën pjesë rreth 30.000 njerëz.