Transmetuar më 05-01-2023, 13:01

Rudi Garcia është “personazhi më i keq që kam takuar në karrierën time futbollistike” dhe “do t’ia shërbejë kafen në mëngjes Cristiano Ronaldos, nëse duhet”. Janë këto dy deklarata të fortë të ish-yllit të Lyon, Juninho.

Trajneri francez, i cili ka punuar më parë te Lyon dhe Marseille, ka mirëpritur pesë herë fituesin e “Topit të Artë”, Ronaldon, në radhët e skuadrës së tij aktuale në Arabinë Saudite.

Juninho pretendon se një personazh egoist si Rudi Garcia do ta dojë shumë mundësinë për të punuar me njërin prej futbollistëve më të shkëlqyer të të gjitha kohërave. Në funksion të kësaj do të bëjë gjithçka që është e mundur për t’iu dukur sa më i dashur superyllit portugez.

Rudi Garcia - nassr 2022-2023

Ish-lojtari i kombëtares braziliane, Juninho, ka përshkruar në “MaisFutebol” një trajner “shumëngjyrësh”, me të cilin ka pasur “dhimbje koke” gjatë kohës që kanë punuar së bashku në Francë:

“Ai (Garcia) nuk do të guxojë të bëjë asgjë që e pengon, përkundrazi, do t’i shërbejë edhe kafen e mëngjesit Cristianos, nëse duhet. Ai do të përpiqet të jetë miku i Cristianos, të jetë i afërt dhe do të bëjë gjithçka për këtë. Do të jetë një ëndërr për të që të jetë mik me Cristiano Ronaldon”.

Juninho shtoi për Garcia, i cili ishte trajner i Lyon-it gjatë kohës që vetë punonte si drejtor sportiv i klubit të Ligue 1: “Përvoja ime me Rudi Garcia ishte e tmerrshme. Ai është personazhi më i keq që kam takuar gjatë gjithë karrierës sime në futboll. Ai nuk di të drejtojë asgjë.

Juninho Lyon torcida adeus 2009

Ai udhëheq me frikën që iu imponon të tjerëve. Ai respekton vetëm njerëzit që kanë fuqi ose që ai mund të përfitojë prej tyre në marrëdhënie. Për Rudi Garcia nuk ka rëndësi suksesi i skuadrës dhe atmosfera në dhomat e zhveshjes. Ajo që ka rëndësi është që vetë të jetë në qendër të vëmendjes, edhe nëse është në krizë.

Si të gjitha qeniet njerëzore shumë të ftohta, njeh ata që janë më të mëdhenj se vetja dhe përpiqet të përfitojë prej tyre. Cristiano Ronaldo është një nga më të mëdhenjtë në historinë e futbollit, një legjendë dhe Rudi e di këtë”.