Transmetuar më 05-01-2023, 10:12

Simone Inzaghi ishte shumë i kënaqur me paraqitjen e Interit kundër liderëve të Serie A: “Ne jemi në një situatë të mirë, pasi fituam kundër Napolit, që ishte i pamposhtur deri tani në kampionat. Ky sukses është një injeksion i madh besimi. Jam krenar për lojtarët e mi, sepse ndihmuan njëri-tjetrin në fushë. Ishte kënaqësi t’i shikoja duke luajtur kështu.

Një ndeshje e mrekullueshme edhe për publikun dhe klubin. Kishte kuriozitet si do të paraqitej ekipi, sepse ktheheshim në një ndeshje zyrtare pas kaq shumë ditësh (kampionatet u pezulluan prej Botërorit të Katarit), por isha i qetë sepse jemi stërvitur në mënyrën më të mirë që prej 2 dhjetorit”.

Urime edhe për “heroin” e ndeshjes, Dzeko, që realizoi golin e fitores ndaj Napolit: “Edin po ecën shumë mirë, ka teknikë dhe forcë, po na ndihmon shumë në këtë kampionat”.

Duke folur për Dazn, trajneri i zikaltërve analizoi ndeshjen: "96 minuta përqendrim i lartë, mund të kishim shënuar edhe më herët, por kishim pak paqartësi, përveç aftësisë së Meret. Skuadra e ka mbajtur gjithmonë përqendrimin lart. Duke mposhtur Napolin tani, duhet të na japë besim të madh në të ardhmen”.

Një vlerësim për pjesën e parë të sezonit dhe për shpresat e titullit: “Në fillim humbëm disa pikë në kampionat, duke marrë parasysh edhe Champions League të luajtur shumë mirë në një grup si i yni. Në 10 ndeshjet e fundit kemi marrë 9 fitore. Meqë fundi është ende larg, nuk duhet të shikojmë të tjerët, por të mendojmë për veten ndeshje pas ndeshjeje”.

Më pas për performancën e Calhanoglu: "Është e vështirë të përmendësh emra në veçanti në një mbrëmje si kjo, Hakan po kalon një periudhë pozitive. Ai po ecën shumë mirë edhe në rolin e regjisorit".