Transmetuar më 05-01-2023, 10:08

Bulqizë- Kërcënon duke i dërguar zarfin e mbushur me barut, arrestohet i riu, identifikohet dhe vihet në pranga 24-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se pranë banesës së një 57-vjeçari, në fshatin Zogaj, ishte hedhur një zarf me barut në brendësi dhe një letër me mesazh kërcënues për jetën, kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale nga Policia, në kuadër të operacionit policor të koduar “Zogaj”, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit R. M., 24 vjeç, banues në Shupenzë (i dënuar më parë për veprën penale "Dhunë në familje").

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 24-vjeçari ka hedhur në oborrin e banesës së shtetasit N. Ll., 57 vjeç, një zarf me një sasi të vogël pluhur baruti në brendësi dhe një letër me mesazh kërcënues për jetën.

Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Bulqizë vijojnë punën për zbardhjen e motivit të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprat penale "Kanosja" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit".