Transmetuar më 05-01-2023, 09:07

FIER- Policia e Fierit ka arrestuar Shpëtim Kanda, 49 vjeç, i dënuar 2 herë më parë, për vrasje dhe për vrasje të mbetur në tentativë.

Në njoftimin e policisë bëhet me dije se 49-vjeçari është kapur me pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, në fshatin Hoxharë të Fierit. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonte Kanda. Nuk dihet nëse ai ishte nisur për të krye vrasje.

Në njoftimin e policisë Fier citohet: Shërbimet e Policisë Kriminale të Komisariatit të Policisë Fier, bazuar në inteligjencën informative për një shtetas me rrezikshmëri shoqërore që mund të qarkullonte me armë zjarri me vete, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Hoxhara”. Si rezultat i këtij operacioni, në fshatin Hoxharë, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:

Shpëtim Kanda, 49 vjeç, banues në Fier, i dënuar 2 herë më parë, për veprat penale “Vrasja”, “Vrasja kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë", dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, dhe një krehër me municion luftarak. Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua edhe automjeti tip “Benz” me të cilin udhëtonte ky shtetas. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, për veprime të mëtejshme.