Transmetuar më 04-01-2023, 21:09

ITALI- Autoritetet italiane kanë gjetur trupin e 18-vjeçares Shaman Abbas, e cila ishte zhdukur për më shumë se një vit pasi ajo refuzoi të udhëtonte në Pakistan për një "martesë me mblesëri". Ajo u identifikua nga një anomali dentare, detaj i siguruar falë fotove dhe videove. Shaman jetonte në Novelara, në Italinë veriore, afër Bolonjës. Në vitin 2020, ajo refuzoi të shkonte në Pakistan për t’u martuar me një kushëri, siç e kishte kërkuar familja e saj.

Trupi i adoleshentes u identifikua nga të dhënat dentare pasi mbetjet njerëzore u zbuluan pranë shtëpisë së familjes së saj në nëntor 2022, raportoi agjencia e lajmeve Ansa duke cituar avokaten e viktimës Barbara Iannucelli. Abbas nuk është parë që nga prilli 2021. Pesë anëtarë të familjes së saj, duke përfshirë babanë dhe xhaxhain e saj, do të dalin në gjyq muajin e ardhshëm për të ashtuquajturën "vrasje nderi" që tronditi Italinë.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se nuk kishte më asnjë dyshim për identitetin e viktimës.

“Le të vendoset drejtësia për një grua të re të pafajshme që vetëm donte të jetonte lirinë e saj,”- shkroi Meloni në Twitter, duke e shoqëruar postimin e saj me një foto të Abbasit i veshur me një rrip të kuq dhe buzëkuq të kuq të ngjashëm.

Një kockë e thyer në pjesën e përparme të qafës mbështet teorinë se Shaman u mbyt nga familja e saj. Prokurorët besojnë se familja u "tërbua" kur zbuluan se Shaman kishte një lidhje me një djalë në Itali.

Autoritetet dyshojnë se adoleshentja u vra teksa kthehej në shtëpinë e familjes së saj për të marrë disa dokumente. Babai i saj, Shabir Abbas, u arrestua në fshatin e tij në Pakistanin lindor në nëntor me dyshimin për vrasje, edhe pse ai gjithmonë e mohonte që vajza e tij kishte vdekur. Xhaxhai i saj u ekstradua nga Franca dhe do të dalë në gjyq, së bashku me dy kushërinjtë e saj. Nëna e saj mbetet e lirë dhe besohet të jetë në Pakistan.