Transmetuar më 04-01-2023, 08:42

Rio Ferdinand e ka mbështetur publikisht zgjedhjen e fundit të Cristiano Ronaldos, transferimin e tij tek Al Nassr, klub i Arabisë Saudite. Të dy bashkë kanë luajtur te Manchester United, ndërkohë që sot ish-mbrojtësi anglez del kundër rrymës, duke mbrojtur lëvizjen e pesë herë fituesit të “Topit të Artë” në mbyllje të karrierës:

"Mediat janë të neveritshme. Kur Rooney, Beckham, Lampard dhe Gerrard shkonin në Amerikë, thonin se ishte një mënyrë e shkëlqyeshme për ta mbyllur karrierën. Çfarë mënyre për ta përfunduar karrierën, duke marrë para të shumta, duke shkuar në një ligë që nuk është aq konkurruese. Le të shkojnë, ata e kanë merituar, kanë fituar para me të drejtë. Kaq pashë në media. Por kur Cristiano Ronaldo vendosi ta bënte këtë, u konsiderua turp dhe katastrofë vetëm pse shkoi në Arabinë Saudite.

Jam i kënaqur për të, që më në fund është i lumtur. Për çdo futbollist, në çfarëdo niveli që luan, lumturia dhe të qenit i lumtur është një nga gjërat më të rëndësishme. Ai nuk ka qenë i lumtur për një kohë, kështu që jam i kënaqur që është në prag të gjetjes së asaj lumturie, madje në një vend që jo shumë njerëz prisnin që të shkonte. Por çfarë perspektive është kjo, çfarë aventure është për të që të shkojë në Arabinë Saudite dhe të luajë në një ligë të re, një ligë konkurruese atje, meqë ra fjala.

Kam parë njerëz që komentojnë dhe thonë se është një mënyrë e trishtueshme për të që të dalë jashtë Europës. Trishtimi i vetëm është mënyra se si përfundoi te Manchester United. Unë mendoj se pas disa vitesh do të shikojnë pas dhe do të mendojë se CR7 mund të ishte trajtuar ndryshe. Por ky kapitulli tjetër, shkuarja në Arabinë Saudite, qenka një mënyrë e trishtueshme për ta mbyllur karrierën e tij… Nuk e kuptoj se si njerëzit po e thonë këtë.

Lëre një njeri të shkojë të jetojë dhe shijojë atë që do. Është një aventurë e re, ai po çon familjen e tij për të përjetuar një kulturë të re. Çdo lojtar tjetër që ka shkuar në një ligë më pak konkurruese për ta mbyllur karrierën e tij i është thënë se e ke fituar të drejtën për çdo zgjedhje. Asnjë njeri në planet nuk e ka fituar të drejtën e zgjedhjes më shumë se ky djalë".