Transmetuar më 04-01-2023, 08:05

Konferenca e parë për shtyp e Simone Inzaghit në vitin 2023 vërteton dëshirën e trajnerit nga Piacenza për të mos u dorëzuar në betejën e titullit. Diferenca nga Napoli është shumë e madhe dhe e vetmja mënyrë për të ringjallur shanset e zikaltërve për “Scudetto” është ta mposhtin sonte skuadrën e Spallettit.

Ish-trajneri i Lazios i ka të qarta idetë në këtë drejtim dhe nuk i fsheh para gazetarëve: "Mezi presim të fillojmë përsëri, të dalim në fushë. Vitin e kaluar ndeshja kundër Napolit ishte shumë emocionuese, na dha një dorë të madhe për muajt në vijim. Ne do të sfidojmë ekipin e vetëm të pamposhtur në Evropë dhe do të kemi një dëshirë të madhe për triumf.

Është një ndeshje shumë e rëndësishme ku tensioni do të jetë më shumë në anën tonë. Edhe nëse nuk e quaj tension; është bukuria e futbollit të luash ndeshje të tilla. Unë besoj te titulli, sepse kanë mbetur edhe 23 ndeshje.

Pra, janë shumë pikë në lojë. Interi, si gjithë pretendentët e tjerë në Serie A do ta shkurtojë distancën nga skuadra më e mirë në Evropë, e vetmja e pamposhtur, pas Benfica dhe PSG që humbën në ligat e tyre. Napoli duhet përgëzuar për atë që ka bërë.

Ne duam të fitojmë të gjitha ndeshjet e mundshme, pa parë lëndimet dhe mungesat. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për vazhdimin e kampionatit. Do të ketë momente në të cilat do të jemi më agresivë dhe të tjera më pak. Napoletanët kanë ruajtur një nivel të jashtëzakonshëm të performancës, si në Itali, ashtu edhe në Evropë.

Në verë larguan disa lojtarë dhe afruan të tjerë funksionalë. Por ne jemi Interi dhe do të përballemi me Napolin me dëshirë. Vitin e kaluar morëm një barazim dhe një fitore kundër tyre. Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë”.