Transmetuar më 03-01-2023, 16:19

Kampionati italian po rikthehet dhe këtë e bën me të dhjetë ndeshjet e javës së 16-të të planifikuara për nesër. Juventusi kthehet në skenë në ‘Zini’ kundër Cremonese, e cila është ende në kërkim të suksesit të parë, pasi barazoi shtatë herë.

Në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes në fjalë, Massimiliano Allegri u shfaq i paduruar për të rifilluar rrugën e ndërprerë në nëntor, nga pushimi prej Botërorit. “Nesër do të rifillojmë pas 52 ditësh me një ndeshje të komplikuar, kundër Cremonese që është një ekip i fortë dhe agresiv. Do të duhet respekt dhe përulësi nga ana jonë”.

Shumë sinjale pozitive nga Paul Pogba, tashmë pranë rikthimit në grup. Gjendja e gjurit të tij është e mirë dhe krijon optimizëm: “Pogba po vrapon, e rëndësishme është që gjuri i tij nuk po e shqetëson për momentin. Nëse vazhdon kështu, ai mund të kthehet me ekipin pas 15-20 ditësh”.

Në Cremonese do të jenë edhe argjentinasit Di Maria e Paredes, të kthyer nga fitorja e Botërorit: “Më duhet ende të vendos për formacionin e nesërm, argjentinasit janë rikthyer dhe ndihen mirë. Me përjashtim të problemeve, të gjithë do të jemi ndaj Cremones.

A mund të ishin kthyer argjentinasit më herët? Asgjë nuk do të kishte ndryshuar, një ditë pak a shumë nuk bën ndryshimin. Ishte e drejtë që ata të shijonin fitimin e Kupës së Botës".

Chiesa është në dispozicion, por nuk mund të luajë nga minuta e parë. Ai do të dalë në fushë për të luajtur një pjesë të lojës. Szczesny do të vlerësohet sot: "Chiesa është më mirë, ka punuar me ekipin dhe është gati për një pjesë të ndeshjes. Ata që kanë punuar këtu dhe kanë luajtur në miqësore janë mjaft mirë.

Do ta vlerësoj Szczesny sot, tre brazilianët janë mirë, por do të duhet të menaxhoj mirë forcat, sepse do të luajmë menjëherë pas”. Rinovimi i kontratës së skaduar të Rabiot vazhdon të mbajë në ankth bardhezinjtë: “Të flasësh për tregun e transferimeve është e kotë, fusha është gjëja më e rëndësishme. Ai po bën mirë dhe e tregoi këtë në Kupën e Botës”.

Të luash një ndeshje zyrtare pas gati dy muajsh, gjithmonë përmban ‘gracka’ të fshehura: “Ndeshjet pas pushimit janë gjithmonë më të vështirat, jam kurioz të shoh se si do të jetë skuadra në nivel mendor”.