Transmetuar më 03-01-2023, 13:20

TIRANË- Zbulohen detaje të tjera rreth arrestimit të autorit të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Edmond Papa në Selitë. Mësohet se Albano Velo u largua drejt Francës 4 ditë pas vrasjes së Papës dhe në Shqipëri ka mbërritur më 1 janar.

Teksa ka shkelur në Rinas, atij i janë vënë prangat, ndërkohë që është shpallur në kërkim dhe bashkëpunëtori i tij 44-vjeçari me iniciale A.B. Velo gjithashtu rezluton të jetë djali i efektivit të policisë së Komisariatit nr. 4, Dilaver Velo.

Edmond Papa u ekzekutua pasditen e 16 dhjetorit në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Papa jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit. Krimi u pasua me vrasjen e dy shqiptarëve ne Greqi, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja. Të tre ekzekutimet dyshohet të kenë ndodhur për zhdukjen e 700 kilogramëve kanabis. Urdhri dyshohet se ka dalë nga burgu grek, më konkretisht nga qelia e liderit të mafies shqiptare në Greqi, Klodian Lekocaj. Pas vrasjes së dy shqiptarëve në Athinë, është zhdukur pa gjurmë dhe miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi. Dyshohet se ai është eliminuar por për momentin nuk ka detaje të tjera lidhur me shqiptarin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd