Transmetuar më 03-01-2023, 13:21

“Ka vetëm një Carlo Ancelotti”, mund të këndonin disa tifozë që patën nderin ta shihnin skuadrën e tyre të udhëhequr nga trajneri italian. Por në realitet nuk ka vetëm një Ancelotti, sepse djali i tij Davide ka disa vite që është përkrah babait, duke e ndjekur atë si hije dhe punuar me të.

Një figurë që në disa raste (për shembull në Mynih) ka tërhequr disa kritika, por duket se vlerësohen shumë në Madrid. Ndaj "AS" ka vendosur të intervistojë djalin e Ancelottit, duke folur si për marrëdhënien me të atin, ashtu edhe për karrierën e tij në botën e futbollit.

Ai e filloi në fushë, në ekipin e të rinjve të Milanit. Por kur Davide e kuptoi se nuk do të bëhej yll në fushë, zgjodhi një mënyrë tjetër për të luajtur futboll. "Largimi ishte vendimi im. Nuk ishte e lehtë, por tani e shoh si një vendim shumë të drejtë.

Vendosa të studioj për trajner dhe ishte një avantazh i madh. Jam 33 vjeç dhe tashmë kam 11 vite përvojë. Largimi nga futbolli bëri të mundur studimin, udhëtimin, mësimin e gjuhëve…”

Dhe tani është numri dy, krahu i djathtë i babait Carlo. Po si është të punosh me dikë të tillë? "Stafi ynë është mjaft i gjithanshëm, babai im ndërhyn vetëm kur është e nevojshme, kur mendon se është thelbësore ose kur ka një seancë të veçantë taktike. Ne flasim shumë dhe shkëmbejmë ide. Debati i pasuron zgjedhjet, por në fund vendimet i merr babai im", – sqaron djali.

Po kur do të largohet nga trajningu Ancelotti i moshuar? Idetë janë të qarta: “Kur babai ta përfundojë karrierën, dua ta marr unë stafetën”. Megjithatë, Davide Ancelotti është i prirur të rrëzojë një mit: atë të trajnerit "vetëm" të Champions-it:

"Babai im thotë gjithmonë se në futboll kanë shpikur gjithçka deri më tani, por unë besoj se në çdo rast është një sport që nuk ndalet kurrë së evoluari. Në përgjithësi kemi të njëjtën ide për futbollin. Ai më mësoi që nëse dëshiron të jesh një trajner i mirë, duhet të përshtatesh me atë që ke në dispozicion dhe të ndërtosh një lojë në të cilën secili nga lojtarët tuaj mund të shkëlqejë.

Kur keni sukses, mund të jeni të lumtur. Nëse shihni që lojtarët tuaj janë të qetë, ju goditni në shenjë. Nëse, nga ana tjetër, i shihni ata të palumtur në formacion, trajneri nuk po bën punë mirë. Ky koncept është shumë i rëndësishëm, nuk është e lehtë të jesh ‘kameleon’ si babai në karrierën e tij.

Në fund të fundit babai im është shumë modest, por shpiku një formacion, 4-3-2-1. Ai nuk është vetëm një trajner, por edhe një person që i ka dhënë futbollit shumë në nivel taktik. Njerëzit e kanë konsideruar gjithmonë një person të mirë që di të sillet me futbollistët. Kjo është një nga cilësitë e tij, por ai di shumë për futbollin, di të luajë në mënyra të ndryshme dhe ky është një virtyt i madh”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd