Transmetuar më 03-01-2023, 12:44

TIRANË- Gjykata Penale ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për autorin e dyshuar të vrasjës së biznesmenit Edmond Papa në Selitë. Sipas prokurorisë Albano Velo ka pasur rolin e vëzhguesit në vrasjen e Papës, ndërkohë që motivet kryesore për vrasjen janë të prishjes së trafikut të drogës. Vetë Velo para Gjykatës ka mohuar përfshirjen në vrasjen e Papës.

Edmond Papa u ekzekutua pasditen e 16 dhjetorit në një lokal në zonën e Selitës teksa ishte duke pirë kafe. 49-vjeçari dyshohet se ka qenë shumë i implikuar në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri dhe nga Shqipëria në Angli. Po ashtu ka dyshime se ai merrej me pastrim parash. Papa jetonte mes Sarandës dhe Fierit por udhëtonte dhe shpesh jashtë vendit. Krimi u pasua me vrasjen e dy shqiptarëve ne Greqi, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja. Të tre ekzekutimet dyshohet të kenë ndodhur për zhdukjen e 700 kilogramëve kanabis. Urdhri dyshohet se ka dalë nga burgu grek, më konkretisht nga qelia e liderit të mafies shqiptare në Greqi, Klodian Lekocaj. Pas vrasjes së dy shqiptarëve në Athinë, është zhdukur pa gjurmë dhe miku i tyre i ngushtë, i identifikuar si Leonardi. Dyshohet se ai është eliminuar por për momentin nuk ka detaje të tjera lidhur me shqiptarin.